Foto: Ilustrim

Rekomandohen Ligje të Reja për KPK-në dhe KGJK-në

Ndonëse nuk kanë kaluar as dy vjet nga koha kur ligjet për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës u ndryshuan, Komisionit për Legjislacion iu rekomandua hartimi i ligjeve të reja për këto dy institucione.

Rekomandimi për nxjerrjen e ligjeve të reja doli nga raporti i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve që u prezantua para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës.

Të gjeturat e raportit por edhe rekomandimet i prezantoi anëtari i komisionit, deputeti Armend Zemaj.

“Brenda vitit 2017 të hartohen ligje të reja për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për shkak të ndryshimeve të shpeshta të ligjeve në fuqi duke marrë për bazë të gjeturat nga ky raport”, thuhet në rekomandimin e parë të këtij raporti.

Rekomandimi i dytë i cili i adresohet Ministrisë së Drejtësisë, KGjK-së dhe KPK-së, bën thirrje për bashkëpunim në mes të këtyre institucioneve gjatë hartimit të këtyre ligjeve.

Rekomandimi i tretë kërkon që të ketë harmonizim në mes të dy ligjeve,  ajo që ndryshohet në ligjin për KGjK-në të përfshihet edhe në ligjin për KPK-në.

Rekomandimi I fundit i drejtohet Ministrisë së Financave dhe bën thirrje për ndarje të buxhetit shtesë për rritjen e numrit të gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të bashkëpunëtorëve profesionalë.

Gjithashtu nga të gjeturat e raportit u tha se transferimi i gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën nuk ka dhënë rezultatet e pritura, ndërsa u bë thirrje se pavarësisht se në kuadër të cilit institucion do të funksionojë Zyra e Prokurorit Disiplinor, të ruhet pavarësia e saj.

Zemaj përveç të gjeturave të raportit, paraqiti edhe mangësitë që ka vërejtur vetë në sistemin e drejtësisë duke thënë se buxheti i ndarë për gjyqësorin është i pamjaftueshëm, ka nevojë për gjyqtarë dhe staf administrativ shtesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore nga KPK dhe KGJK si dhe mungesë të bashkëpunimit të këtyre dy këshillave.