Gjykimi i mjekeve | Foto: KALLXO.com

Refuzohen Kundërshtimet e Avokatëve për Mjeket e Akuzuara

Lajmin për refuzimin e kërkesës së avokatëve për hedhje poshtë të aktakuzës e dha për KALLXO.com avokati Shemsedin Piraj që mbron të akuzuarën Vjollca Kosumi.

“Ne dje e kemi marrë vendimin nga gjykata e  shkallës  se parë me të cilin vendim na janë refuzuar kundërshtimet qe i kemi bërë ne lidhje ketë rast,” tha avokati Piraj.

Piraj me tej tregoi se do të ankohet në Gjykatën e Apelit në lidhje me refuzimin e kundërshtimit të aktakuzës nga themelorja.

“Ne si mbrojtje në afatin e paraparë ligjor do ta ankimojmë këtë vendim ne Gjykatën e Apelit si gjykatë e shkallës se dytë,” sqaroi Piraj.

E mbrojtura e Pirajt Vjollca Kosumi akuzohet për mosdhënie të ndihmës mjekësore. Ajo ishte mjeke kujdestare në ditën kur në mars të këtij viti u pranua në sallën e lindjes së Spitalit Rajonal të Gjilanit Arbenita Selimi-Spahiu.

Bashkë me Kosumin pr trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor akuzohen edhe Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri. Shaqiri është shefe e repartit të sallës së lindjes, ndërsa edhe Zeqiri ishte mjeke kujdestare ditën kur Arbenita Selimi-Spahiu erdhi për ta lindur foshnjën e saj, ndërsa vdiq nga gjakderdhja.

Sipas prokurorisë, Arbenita Selimi-Spahiu vdiq për shkak të shokut hemorragjik që pësoi ngase nuk u trajtua në mënyrë të përshtatshme dhe ashtu si duhej.

“Për shkak të vonesës dhe mosndërmarrjes me kohë që pacientes-tani të ndjerës t’ia heqin mitrën, vjen deri te gjakderdhja dhe si pasojë e humbjes së sasisë së mjaftueshme të gjakut pacientja pëson shok hemorragjik me vlera të ulëta jetësore -gjendje agonie,” thuhet në aktakuzë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 qershor të tri mjeket e akuzuara mohuan fajësinë.

http://kallxo.com/mjeket-mohojne-fajesine-per-vdekjen-e-mesueses/

Aktakuza ndaj tri mjekeve u ngrit më 19 maj.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-tri-mjekeve-ne-gjilan/

Në bazë të veprave me të cilat ngarkohen, Maxhide Shaqiri e Hamide Zeqiri mund të dënohen deri në 12 vjet burg, ndërsa Vjollca Kosumi deri në tetë vjet.