Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Refuzohen Kërkesat e të Akuzuarve për Planifikim të Sulmeve Terroriste

Gjyqtari i Hamdi Ibrahimi ka refuzuar të gjitha kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga avokatët mbrojtës në rastin e të akuzuarve për planifikim të sulmeve terroriste ndaj kombëtares së Izraelit në futboll.

Duke referuar para palëve kërkesat e mbrojtësve për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurë në një anë dhe prokurorisë në anën tjetër, Ibrahimi tha se asnjë prej kërkesave të paraqitura për hedhje të aktakuzës nuk ka përmbushur kërkesat ligjore për t’u pranuar.

Ibrahimi njoftoi palët se lidhur me vendimin për refuzim do të përpilojë aktvendim të veçantë ndaj të cilit avokatët do të kenë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti,Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet)me dashje kanë pranuar thirrjen e  Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci

Të gjithë të akuzuarit me përjashtim të Arton Ahmetit, kanë deklaruar se janë të pafajshëm.