Refuzimi i Monopolit për Kontroll të Automjeteve

Qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve po refuzojnë t`i nënshtrohen procesit të kalibrimit të pajisjeve të tyre nga kompania të cilën e ka autorizuar shteti ta bëjë kalibrimin e pajisjeve të tyre.

Siç transmetoi emisioni i radhës “Drejtësia në Kosovë” edhe pse kalibrimi i pajisjeve të qendrave për kontrollin teknik të automjeteve parashihet me ligjin për siguri në komunikacion, dy ministritë përgjegjëse ajo e Infrastrukturës dhe e Tregtisë kanë dështuar ta përmbushin këtë obligim ligjor.

Pronarët e qendrave të kontrollit teknik të automjeteve po refuzojnë t`i nënshtrohen procesit të kalibrimit, me arsyetimin se dy ministritë e kanë autorizuar vetëm në kompani, e cila sipas tyre ka ofruar çmime të papërballueshme dhe në kundërshtim me udhëzimet administrative në fuqi.

Siç tregoi hulumtimi i transmetuar nga “Drejtësia në Kosovë”, nga 105 qendra sa janë të licencuara për ta bërë kontrollimin teknik të automjeteve, vetëm tri nga to e kanë bërë kalibrimin, të tjerat kanë refuzuar.

Pronarët e qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve, po kërkojnë nga shteti që ta eliminojë monopolin dhe t`i hapë rrugë konkurrencës së lirë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të zgjedhin.

Sipas ligjit për siguri në komunikacion, qendrat e kontrollit teknik të automjeteve të paktën një herë në vit duhet t`i nënshtrohen një kontrolli të pajisjeve të tyre nga një institucion më i lartë, apo një kompani e autorizuar nga shteti.

Kontrolli në fjalë sipas të gjeturave të emisionit, në bazë të Udhëzimit administrativ, i cili aktualisht është në fuqi,  do t’u kushtonte qendrave për kontrollin teknik të automjeteve për të tri linjat, atë të pajisjeve për kontrollin e automjeteve deri në 3.5 tonë, mbi 3.5 tonë dhe linjës për motoçikleta rreth 450 euro.

Mirëpo, siç treguan të gjeturat nga hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, kompania e autorizuar nga shteti ka ofruar rreth 2900 euro për secilën qendër.

Emisionin e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: