Vendimi i Gjykatës dhe shkrimi i 'Informer' për redaktorin e BIRN, Foto: BIRN

Redaktori i BIRN Fiton Rastin Kundër Tabloidit Pro-Qeveritar Serb

Një gjykatë e Beogradit ka gjobitur tabloidin pro-qeveritar ‘Informer’ për botimin e të pavërtetave rreth BIRN në Serbi dhe redaktorit të saj, Slobodan Georgiev.

Gjykata e Apelit në Beograd të premten konfirmoi se ‘Informer’ ka publikuar informata të rreme dhe ka dëmtuar reputacionin e redaktorit të BIRN Serbia, Slobodan Georgiev në një artikull të botuar nga tabloidi me titull “Ata donin të përvetësojnë 23.2 milionë euro”.

Sipas vendimit përfundimtar, redaktori i ‘ tabloidit Informer’, Dragan Vuçiçeviq dhe kompania e tij botuese, ‘Insajder Tim’, duhet të paguajnë një gjobë prej 100,000 dinarësh (rreth 830 euro).

Vuçiçeviq u urdhërua gjithashtu që të publikojë vendimin në numrin e ardhshëm të tabloidit.

Georgiev filloi çështjen para Gjykatës së Lartë të Beogradit në mars të vitit 2015.

Sulmet e tabloidit pro-qeveritar mbi BIRN filluan pas publikimit të një hetimi në tenderin publik për zbrazjen e minierës së Tamnavës, e cila u përmbyt në vitin 2014.

Tabloidi pohonte se BIRN kishte “sulmuar qeverinë serbe për krim dhe korrupsion” në emër të BE-së, sepse qeveria hodhi poshtë kërkesën e Brukselit për të dhënë kontratën e minierës Tamnava te një kompani e huaj.

Gjykata gjeti kryeredaktorin e ‘Informer’ përgjegjës për publikimin e të pavërtetave dhe fyerjeve që rrezikuan sigurinë e redaktorit të BIRN.

Georgiev tha se pavarësisht aktgjykimit, rasti mbetet i hapur deri sa redaktori dhe botuesi i ‘Informer’ të paguajë gjobën dhe të publikojë vendimin.

“Rasti nuk është i mbyllur deri atëherë”, tha Georgiev.

Kur BIRN i kërkoi Vuçiçeviq, kryeredaktorit të ‘Informer’ për një koment mbi vendimin, ai u përgjigj duke drejtuar më shumë fyerje ndaj Georgievit.