Statuja e William Walker që do të vendoset në Reçak më 15 janar. Foto: Idriz Balani.
Reçaku Nderon Kreun e OSBE-së me Statujë
Statuja e ish-shefit të misionit të OSBE-së William Walker do të vendoset në janar në fshatin Reçak në Kosovën qendrore, ku 45 civilë shqiptarë, përfshirë edhe të moshuar dhe fëmijë, u masakruan nga forcat serbe.
Pas vrasjes masive, Walker shkoi në vendin e ngjarjes, duke u bërë dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte “një krim kundër njerëzimit”.
Mesazhi i tij ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e NATO-s për përdorimin e forcës kundër regjimit serb në Kosovë.
Vendimi për të nderuar Walker me një statujë është nismë e komunës së Shtimes, e cila do ta organizojë ceremoninë më 15 janar, 18 vjet pas kryerjes së masakrës.
Walker mori pjesë në një ceremoni përuruese në janar të këtij viti për hedhjen e themeleve të statujës.
“Ishte një surprizë. Nuk më thanë që do të ndodhte kjo,” tha ai në atë kohë.
Statuja u realizua nga Idriz Balani, një skulptor nga Shqipëria.
Ky është i fundit në një sërë monumentesh në vend në nder të firgurave ndërkombëtare që ndihmuan shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas luftës për pavarësi.
Në rrugën për në qendër të qytetit të Prishtinës ndodhet një statujë prej gjashtë metrash e lartë e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili e përuroi personalisht monumentin.
Qyteti i Prizrenit nderoi dy pilotë amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, të cilët humbën jetët e tyre në maj të vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s. Ata vdiqën në një aksident gjatë një seance trajnimi në malet pranë kufirit Shqipëri-Kosovë.
Ish-diplomati amerikan Richard Holbrooke u nderua me një statujë në komunën e Vitisë.
Kosova u ka vënë disa rrugëve dhe shesheve emrat e disa aleatëve ndërkombëtarë.
Emrat e ish-presidentëve amerikanë George Bush dhe Bill Klintoni zbukurojnë rrugët në kryeqytetin e Kosovës.
Në gusht, qeveria e Kosovës vendosi t’i vërë autostradës që lidh qytetin e Ferizajt dhe Gjilanit emrin e Beau Biden, djali i vdekur të zv/ presidentit amerikan Joe Biden.
Beau Biden ndihmoi në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga Kosova pas luftës dhe u nderua për kontributin e tij në siguri dhe drejtësi.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, shumë familje shqiptare të Kosovës i vunë fëmijëve të tyre emra liderësh politikanë perëndimorë, siç janë Clinton dhe kryeministri britanik Tony Blair.