Reagon Vetëvendosje pas Arrestimit të Albin Kurtit dhe Donika Kadajt

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve të saj, Albin Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit, nga Policia e Kosovës.

Urdhër-arrestin e lëshuar nga gjyqtari Beqir Kalludra, VV e cilëson të kundërligjshëm, meqë, sipas saj, deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kishin bërë paraprakisht kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues tek kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Ndonëse kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues është dorëzuar më 22.11.2017; gjykatësi Beqir Kalludra lëshoi fletëarrestin për deputetët tanë, një ditë më vonë më 23 nëntor, pa pritur asnjë përgjigje nga kryetarja e Gjykatës Themelore sipas Kodit të Procedurës Penale”, thekson ky subjekt politik.

Vetëvendosje vlerëson se arrestimi i deputetëve është i padrejtë dhe manifestim i qartë i persekutimit politik që po i bëhet asaj përmes organeve të rendit dhe drejtësisë, të cilat, sipas komunikatës, “janë të kapura nga protagonistët e Klanit Pronto”.

“Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, thekson Vetëvendosje, duke shtuar se kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë që është vijimësi e shtetit të kapur.

KALLXO.com raportoi pak çaste më parë për arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.

http://kallxo.com/arrestohen-albin-kurti-e-donika-kadaj/

Në një prononcim për KALLXO.com, gjyqtari Beqir Kalludra tha se ka lëshuar urdhër-arrestin ndaj Kurtit e Kadaj-Bujupit pasi ata shkelën mbrëmë masën e arrestit shtëpiak kur morën pjesë në festën e Vetëvendosjes pas fitores së pretenduar të kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Kurti ishte arrestuar të premten e kaluar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në bazë të një fletarresti nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Një ditë më pas ai qe lënë në arrest shtëpiak, me një vendim të Gjykatës së Apelit.

Por mbrëmë Kurti doli për të festuar në sheshin kryesor të Prishtinës fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë e Prizren.