Ratko Mlladiq në Gjykatën e Hagës.

Ratko Mlladiq Kërkon të Kurohet në Rusi

Avokatët e Ratko Mlladiq paraqitën një mocion në Gjykatën e Hagës të martën duke kërkuar lirim të përkohshëm në mënyrë që ish-gjenerali serb i Bosnjës të mund të kurohet në një spital në Rusi.

Mocioni thoshte se 74-vjeçari Mlladiq ishte “në gjendje të komplikuar dhe kërcënuese për jetën” dhe kishte nevojë për kurim “që të lehtësonte efektet e gjashtë viteve në burg”.

“Sipas disa analizave mjekësore që po i bashkëngjitim, është e qartë që gjendja shëndetësore e Mlladiqit po përkeqësohet nga kërcënime kronike dhe të reja, të cilat rëndohen edhe më shumë për aq kohë sa ai rri në ambientin e burgut,” vazhdonte mocioni.

Avokatët paraqitën mendimet e tre mjekëve të cilët thanë se Mlladiq nuk po merrte kujdesin e duhur mjekësor në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, dhe kjo po shkaktonte “përkeqësim serioz të gjendjes së tij shëndetësore”.

Mlladiq ka pasur disa probleme serioze shëndetësore gjatë kohës që ka qëndruar në paraburgim dhe gjendja e tij u përkeqësua përsëri në fillim të këtij muaji, paralajmëruan avokatët e tij.

“Këto simptoma të reja janë shenja që alarmojnë për mundësinë e një infarkti ose ataku të ri në zemër, e cila mund të çojë në vdekje,” thuhej në mocion.

Mlladiq po gjykohet për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrje peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e tyre mbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimi pritet të merret në nëntor.