Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit të Gjykatës së Hagës. Foto: ICTY.

Ratko Mlladiq Kërkon Ndihmën e Serbisë për Lirimin e Përkohshëm

Avokatët dhe familja e Ratko Mlladiqit, i cili po gjykohet për gjenocid dhe krime lufte, i kërkuan zyrtarisht Qeverisë serbe të martën t’i japë garanci Gjykatës së Hagës që do të lejonte që ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës të lirohet përkohësisht nga burgu për të marrë trajtim mjekësor.

“Ne presim që Qeveria të japë garanci brenda rreth dhjetë ditëve dhe më pas do të paraqesim një kërkesë të re për lirimin e Mlladiqit në Gjykatë, bashkë me garancitë dhe të dhënat mjekësore,” tha për BIRN një prej avokatëve të Mlladiqit, Miodrag Stojanoviq.

Mlladiq ka pasur disa probleme serioze shëndetësore gjatë qëndrimit në burg dhe ka pësuar dy goditje dhe një infarkt në zemër. Avokatët e tij thonë se gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë në maj të këtij viti.

Qeveria serbe duhet të ofrojë siguri se ajo do ta kthejë atë në paraburgim, në mënyrë që të miratohet kërkesa e tij për lirim të përkohshëm.

Stojanoviq tha se ai nuk shikon ndonjë arsye pse kërkesa duhet të refuzohet, pasi seancat dëgjimore kanë mbaruar dhe Qeveria serbe do të zotohet ta kthejë Mlladiqin në Hagë.

Megjithatë, ai shtoi se ishte skeptik për mundësinë e lirimit të klientit të tij.

Ministri i Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq, tha të mërkurën se ministria e tij ka nisur tashmë procedurat e nevojshme për të bërë të mundur që Qeveria të votojë për dhënien e garancisë për lirimin e përkohshëm të Mlladiqit.

Deputeti i opozitës dhe kryetari i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i bëri thirrje Qeverisë serbe të mos e mbështesë lirimin e Mlladiqit.

“Çfarëdolloj garancie për lirimin e përkohshëm të Ratko Mlladiqit e dhënë nga autoritetet serbe do ta dëmtonte shumë qëndrimin ndërkombëtar të Serbisë dhe marrëdhëniet tona me vendet fqinje,” tha Çanak të dielën, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

Mlladiqit iu mohua lirimi në maj të vitit 2017, kur ai kërkoi të merrte trajtim mjekësor në Rusi. Prokurorët e Hagës u shprehën se ekzistonte një rrezik që ai të mund të largohej para se të merrej një vendim në gjyqin e tij.

Nemanja Stjepanoviq nga OJQ-ja Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd tha për BIRN se pavarësisht garancive të Serbisë, Mlladiqit ka gjasa t’i refuzohet përsëri kërkesa për lirim të parakohshëm.

“Ka shumë gjëra që janë kundër tij, mbi të gjitha fakti që ai u arratis për shumë vjet dhe nuk shkoi vullnetarisht në Hagë. Në të tilla çështje, Haga zakonisht nuk jep lirim të përkohshëm,” tha Stjepanoviq.

Ai theksoi gjithashtu se vetë Mlladiqi i ka dhënë merita stafit mjekësor në gjykatën e OKB-së dhe klinikës Bronovo në Holandë, ku trajtohet edhe familja mbretërore holandeze, që e kanë mbajtur gjallë atë.

“Atij i është dhënë kujdesi më i mirë mjekësor i mundshëm, që as qytetarët e zakonshëm holandezë nuk e kanë,” tha Stjepanoviq.

Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit, në veri të Serbisë, pasi kaloi 16 vjet në arrati.

Ai tani po gjykohet në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën, gjë që dyshohet se arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e fundit mbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimi pritet të merret në nëntor.