Rasti ‘Stenta’ në Vendnumërim

Ndonëse kanë kaluar 2 vjet e gjysmë hetime dhe pothuajse 10 muaj qëkur është ngritur aktakuza, në Rastin “Stenta” ku të akuzuar janë gjithsej 62 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare e vepra të tjera, ende nuk është lexuar aktakuza.

Të enjten, për dallim nga seanca e kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin prezentë, por jo edhe prokurori Sylë Hoxha që u vonua rreth një orë e kur arriti u prit me duartrokitje nga disa të akuzuar, si gëzim për përfundimin e pritjes së tij.

Megjithëse gjyqtarja Shadije Gërguri fillimisht insistoi që të lexohej aktakuza, disa prej avokatëve thanë se nuk i kanë pranuar provat e përkthyera për të akuzuarit që nuk e kanë gjuhë amtare shqipen.

Avokatja e të akuzuarit, Borche Petrovcki, Merita Stublla-Emini tha se nuk i kanë pranuar provat.

“Ne nuk i kemi pranuar provat, konform nenit 244 të Procedurës Penale. Unë personalisht dhe përkthyesja kemi qenë disa herë tek prokurori i çështjes dhe nuk i kemi marrë provat që Prokuroria e Shtetit duhet t’i dorëzojë”, tha Stublla-Emini.

Përveç këtij problemi, avokati i të akuzuarit, Ali Hocaoglu, tha se dokumentet e përkthyera në gjuhën turke për klientin e tij kanë gabime gjuhësore.

“Aktakuza është e pakuptueshme, për klientin tim zotëri Aliun sepse nuk është e përkthyer në mënyrë profesionale”, tha Ejupi

E problem me provat në gjuhën turke paraqiti edhe Kujtim Kërveshi, avokati që mbron Spitalin “International Medicine Hospital”.

Video 3 01:39-01:52 Kujtim Kerveshi – avokat

“Ju njoftoj se përkundër tri parashtresave që i kam dorëzuar në gjykatë në muajt tetor, nëntor dhe shkurt, prokuroria akoma nuk i ka vërtetuar provat në gjuhën turke”, tha Kërveshi.

Duke pas parasysh ankesat e avokatëve lidhur me provat, gjyqtarja Shadije Gerguri e obligoi prokurorinë që deri më 28 prill t’ia dorëzojë të gjitha provat e përkthyera mbrojtjes dhe të akuzuarve.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 maj.

Në Rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë link.