QKUK - Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Stenta’-Ministri Pezullon Sekretarin

Lajmin e pezullimit të sekretarit Shabani e konfirmoi për KALLXO.com Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Bazuar në kompetencat ligjore sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Ministri Rrahmani ka nxjerrë sot vendim për pezullimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të MSH-së, Gani Shabani, me qëllim të krijimit të mundësive që i njëjti të mund t’u përgjigjet në rrugë ligjore pretendimeve të ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Shtetit,”sqaron kjo zyrë.

Vendimi për pezullim u bë pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Shtetit për mjekët e përfshirë në aferën “Stenta”- ish Ministrin e Shëndetësisë Ferid Aganin dhe sekretarin Shabani.

Shabani e Agani akuzohen për shpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë kanë lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Ata prokuroria i ngarkon se u kanë mundësuar dy spitaleve private përfitime milionëshe, ndërsa e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Pas ngritjes së aktakuzës në Rastin “Stenta”, ish-ministri i Mjedisit Ferid Agani kërkoi lirim nga detyra, të cilën kërkesë ia plotësoi Kryeministri Mustafa.

Për Rastin “Stenta KALLXO.conm raportoi në vazhdimësi.