Nga gjykimi në Rastin Stenta | Foto: KALLXO.com

Rasti Stenta Kthehet në Rivendosje

Rasti Stenta, ku akuzohen 64 punonjës shëndetësorë të institucioneve publike e private është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Lajmin për kthimin  në rivendosje të rastit “Stenta” e bëri të ditur Nikë Shala, avokati i Gani Shabanit.

Avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi gjykata themelore refuzoi kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre,

KALLXO.com kishte shkruar në gusht për refuzimin nga gjykata të kundërshtimeve të aktakuzës.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht Rastin Stenta.