Rektorati i UP | Foto: KALLXO.com

Rasti i Motrës së Prorektorit Diskutohet për Herë të Dytë në Senat?

Një ndër rastet që pritet të diskutohet është edhe ai i Venera Berisha-Muharremit, e cila po pretendon të avancohet nga pozita asistente në pozitën profesor asistent në Mjekësi Interne.

Venera Berisha-Muharremi është motra e prorektorit për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha.

Rasti i saj do të jetë nesër për herë të dytë në Senat, meqë ka mospajtime për propozimin për avancim të saj nga Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë.

Më 24 nëntor 2016, Universiteti i Prishtinës kishte hapur konkurs për rizgjedhje/avancim të stafit akademik të UP-së.

Nesër zyrtarisht përfundon afati ligjor i këtij konkursi.

Konkretisht me këtë konkurs në Fakultetin e Mjekësisë ishin hapur pesë pozita për Mjekësi Interne, në të cilin kishin aplikuar profesorë të këtij institucioni për rizgjedhje/avancim meqë u kishte skaduar kontrata e punës.

Pas aplikimit, Komisioni Recensues kishte propozuar që profesorët Sadik Zekaj, Shemsedin Sadiku, Sylejman Rexhepi, të mbesin në thirrjen e njëjtë profesor të asocuar dhe të mos avancohet në profesor të rregullt për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të punimeve shkencore siç kërkohen me Statut të Universitetit të Prishtinës.

Por i njëjti Komision Recensues, i cili drejtohej nga Gani Bajraktari, kishte dhënë propozim negativ për profesorin i cili kishte mbi 30 vjet punë në Fakultetin e Mjekësisë dhe kishte propozuar që me të njëjtin konkurs të avancohet Venera Berisha-Muharremi nga asistente në profesor asistent.

Ndryshe, Venera Berisha-Muharremi është bashkëshortja e Driton Muharremi, gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit.

Gani Bajraktari është i akuzuar për rastin “Stenta”, rast ky i cili është hulumtuar nga emisioni “Jeta në Kosovë”.

E avancimin e saj nuk po e pranojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë që kryesohet nga dekania Suzana Manxhuka-Kërliu. Ky këshill po pretendon që profesor Emrush Kryeziu duhet të mbetet në thirrjen e njëjtë, profesor i  asocuar ndërsa kanë kundërshtuar avancimin e kandidates Venera Berisha-Muharremi.

Bajraktari është kontaktuar nga emisioni “Jeta në Kosovë” me ç’rast ka thënë se kandidatja Venera Berisha-Muharremi i ka plotësuar kriteret e Statutit të UP-së për t’u avancuar.

“Gjithsesi, konfirmoj faktin se kandidatja Berisha-Muharremi është e vetmja që i  plotëson të gjitha kriteret (pikat) e Nenit 177 për t’u emëruar në thirrjen Profesor Asistent! Çdo tentativë për ta shtrembëruar këtë të vërtetë është tendencioze dhe për mua do të mbetet e papranueshme”, tha kryesuesi i Komisionit Recensues, Gani Bajraktari.

Profesor Emrush Kryeziu dhe asistentja Venera Berisha-Muharremi, nuk kanë dhënë qëndrim rreth kësaj çështjeje meqë nuk kanë hapur telefonin gjatë përpjekjes për t’i kontaktuar.

E dy qëndrimet, njëri i Komisionit Recensues pro Venera Berisha- Muharremi dhe tjetri pro profesorit Emrush Kryeziu kishin shkuar në Senat më datën 31 maj 2017. Pas diskutimit në Senat, rektori kishte propozuar që rasti i profesor Kryeziut dhe asistentes Berisha-Muharremi të kthehet në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë për t’u rishqyrtuar.

Por sërish Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë më datën 7 qershor 2017, ka marrë vendim që profesor Emrush Kryeziu të mbetet profesor i asocuar ndërsa të refuzohet Venera Berisha-Muharremi për avancim në profesor asistent.

“Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë në mbledhjen e mbajtur më 07.06.2017 duke iu referuar vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës më 05.06.2017 lidhur me rishqyrtimin e propozimeve të kandidatëve sipas konkursit publik 24.11.2016  për zgjedhjen e personelit akademik propozon që profesor Asoc. Dr. Emrush Kryeziu të rizgjidhet në të njëjtën thirrje, ndërsa Ass.Dr. Venera Berisha – Muharremi të mos zgjidhet në thirrjen Profesor Asistent”, thuhet në vendimin e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë.

Ky vendim ishte marrë pas votimit në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë, ku 28 vota ishin pro rizgjedhjes së profesor Emrush Kryeziut ndërsa 4 vota pro Venera Berisha- Muharremit.