Rasti “Medicus”, nga Amerika Dëshmon me Video-lidhje

Josef Koronashvilli do të jetë dëshmitari i radhës  i cili pritet që të dëshmojë përmes lidhjes direkte nga Amerika në seancën e sotme në gjykimin e mjekeve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Gjatë seancës së kaluar si dëshmitar ishte dëgjuar rreshteri i Policisë, Xhavit Plakolli.

Plakolli gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se në Aeroportin e Prishtinës e kishte parë Moshe Harrelin  për të cilin ka thënë se pasi që i kishte rregulluar procedurat e biletës një personi, më pas së bashku me personin e quajtur Michael Shafran ishin larguar nga aeroporti me një veturë të tipit “Golf 3”.

http://kallxo.com/polici-thote-se-e-pa-ne-aeroport-izraelitin-e-dyshuar-per-trafikim-organesh/

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.