Rasti i Gjykatëses Safete Tolaj Shqetëson KGjK-në

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe kryesuesi i këtij organi, Nehat Idrizi, u shprehën të shqetësuar me rastin e gjykatëses mbikëqyrëse në Deçan, Safete Tolaj.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ transmetoi të premten e kaluar video-incizime në të cilat shpërfaqen dyshime të marrjes së ryshfetit nga i biri i gjykatëses Tolaj, Fisniku, në këmbim të përshpejtimit të një lënde në këtë Gjykatë.

“Ky rast u cilësua si shqetësim pa masë, si për KGJK-në por edhe opinionin, dhe se besimi i publikut në gjyqësor shihet se nuk është në nivelin e duhur”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të KGjK-së.

Përkundër që e cilësoi sfidë të madhe për sistemin gjyqësor, Idrizi u zotua për pastrimin e gjyqësorit.

“Na pret një sfidë e madhe, andaj, as mua, as juve nuk ju duhet puna me njerëz të korruptuar dhe me sjellje të pahijshme në kundërshtim me ligjin, por ne duhet të jemi ata që e luftojmë dhe e pastrojmë gjyqësorin nga njerëz të tillë”, citohet të ketë thënë Idrizi.

Këto shqetësime e zotime u bënë në takimin e mbajtur në mes të kreut të KGjK-së me kryetarët e zgjedhur të gjykatave themelore në Kosovë dhe asaj të Apelit.

Pamje nga takimi i KGjK-së - Foto: KGjK
Pamje nga takimi i KGjK-së – Foto: KGjK

Kryesuesi Idrizi kërkoi nga të gjithë kryetarët të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë institucionale që kanë dhe të jenë më syçelë, ta kenë një mbikëqyrje, një kontroll më të madh mbi punën e gjyqtarëve pa e cenuar parimin e pavarësisë, por vetëm anën menaxheriale, sepse ndoshta sikur të ishte një kontroll më i madh nuk do të kishin ndodhur gjëra të tilla.

Në këtë takim, Idrizi kërkoi nga udhëheqësit e gjykatave një angazhim më të madh në punën e tyre, një llogaridhënie më të lartë, një mbështetje më të fortë, me qëllim të ndërtimit të një gjyqësori efikas, të pavarur, transparent dhe në shërbim të qytetarëve.

Sipas komunikatës, kreu i KGjK-së po ashtu u zotua për ngritjen e llogaridhënies.

“Si mediat, ashtu edhe shoqëria civile është duke e kritikuar gjyqësorin në llogaridhënie, andaj është momenti i fundit kur ne të gjithë në këtë drejtim të angazhohemi që personat të cilët bien ndesh me ligjin, le të përgjigjen dhe të japin më shumë se kurrë llogaridhënie”,  ka thënë Nehat Idrizi.

Shqetësim tjetër që u ngrit në këtë takim ishte edhe numri i madh i lëndëve dhe mbingarkesa më lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në anën tjetër, të gjithë kryetarët e gjykatave u zotuan se gjatë mandatit të tyre do të kërkojnë llogaridhënie nga gjyqtarët me qëllim që gjyqësori të jetë më efikas dhe më transparent.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, javën që lamë pas transmetoi emisionin me kryetemë gjyqtaren Safete Tolaj dhe dyshimin se djali i saj kishte kërkuar ryshfet për përshpejtimin e një lënde të natyrës civile në Gjykatën e Deçanit.

Qysh pas transmetimit të promos së emisionit, gjyqtarja Tolaj dhe djali i saj u shoqëruan në polici ndërsa pas seancës dëgjimore ndaj gjyqtares  u caktua masa e arrestit shtëpiak.

Prokuroria Intervenon në Deçan, Arrestohet Djali i Gjykatëses

http://kallxo.com/30-dite-arrest-shtepiak-per-gjykatesen-safete-tolaj/