Një i dyshuar për rastin "Badovci" sillet në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Rasti Badovci Kthehet në Rigjykim

Të dënuarit për vepra që lidhen me terrorizëm në Rastin “Badovci” do të gjykohen përsëri, pasi Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e themelores në lidhje me veprën e terrorizmit.

Lajmin për kthimin në rigjykim të rastit “Badovci” e konfirmoi për KALLXO.com Albana Kelmendi, avokatja e Besnik Latifit.

Në vendimin e Gjykatës supreme të siguruar nga KALLXO.com thuhet se është miratuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e bërë nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Supremja në vendim anulon dënimet e të akuzuarve për vepra terroriste, ndërsa i le në fuqi ato që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast të akuzuar ishin Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Në korrik të vitit të kaluar Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Dënimi pastaj ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/vertetohen-denimet-e-rastit-badovci/