Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Rasti i Azem Sylës në Gjykatën Supreme

Çështja e masës së sigurisë ndaj Azem Sylës, i cili brenda një muaji u lirua e u arrestua disa herë, do të zgjidhet përfundimisht nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës, tha për KALLXO.com se ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin iu ndryshua masa e sigurisë Azem Sylës.

“Ne nuk mund të kuptojmë se si vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake për lirimin e Azem Sylës si dhe ai i Gjykatës së Apelit janë aq të ndryshëm në mes tyre, për këtë arsye i jemi drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme të Kosovës,” tha Gashi për KALLXO.com.

Më 23 shtator Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e themelores për masën e sigurisë paraqitje në stacion policor ndaj Azem Sylës, duke ia caktuar atij paraburgimin.

http://kallxo.com/apeli-kthen-ne-burg-azem-sylen/

Në Gjykatën e Apelit ishte ankuar ndaj vendimit të themelores prokurori i EULEX-it Danilo Ceccarelli.

Azem Syla, njëri nga 52 të hetuarit për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë u dërgua në gjykatë për caktim të masës së sigurisë dhjetë ditë më parë, pasi u arrestua nën dyshimet për tentim-ndikimi në dëshmitarë.

http://kallxo.com/arrestohet-azem-syla-tri-jave-pas-lirimit/

Avokati i tij Tomë Gashi thotë për KALLXO.com se nuk ka arsye që Azem Syla të mbahet në paraburgim pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur 2 në të cilin prokuroria pretendon se Syla tentoi të ndikojë.

Azem Syla u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet gjatë aksionit të 27 prillit kur u arrestuan Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.

Syla u dorëzua në polici dy ditë më vonë, ndërsa nga atëherë e deri më 25 gusht qëndroi pandërprerë në paraburgim.