Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj | Foto: Atdhe Mulla

Rasim Selmanaj Përdor Makinën Zyrtare edhe pas Dorëheqjes

Asamblistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, Hyrije Dobrunaj, kur foli për KALLXO.com paralajmëroi ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi sipas saj Rasim Selmanaj po përdor makinën e kryetarit të komunës dhe kompetencat dhe privilegjet që i lejon këtë pozitë, edhe pas njoftimit për dorëheqje.

“Ne si opozitë do të bëjmë ankesë në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal që të stopohet ky veprim i tij”, tha këshilltarja komunale e LDK-së në Deçan për KALLXO.com.

Më 5 korrik, Selmanaj që është zgjedhur deputet i Koalicionit PAN tregoi në Facebook se është përcaktuar të shkojë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa lajmëroi tërheqjen nga pozita e kryetarit të Deçanit, duke falënderuar qytetarët dhe bashkëpunëtorët.

Këshilltarja Hyrije Dobrunaj tha se pasi Selmanaj paralajmëroi dorëheqjen, nuk ka të drejtë të përdorë makinën zyrtare dhe kompetencat tjera të kryetarit të komunës.

“Ai (Rasim Selmanaj) ende është duke e përdorur makinën zyrtare të kryetarit të komunës.Përpos asaj, ai po përdor edhe tjera kompetenca. Ai pas tërheqjes nga kryetari nuk ka drejtë as ta përdorë veturën, as të shpërndajë mirënjohje dhe as të bëjë takime në zyë të kryetarit. Kompetencat e tij i kanë kaluar nënkryetarit të komunës me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale”, tha Hyrije Dobrunaj.

Selmanaj nuk e mohoi se po përdor veturën dhe kompetencat tjera të kryetarit, ndërsa tregoi se dorëheqjen do ta japë në momentin kur betohet në Kuvend si deputet.

“KQZ-ja ka lypë të deklarohem se është me ligj a do ta mbaj pozitën e deputetit, apo të kryetari të komunës. Unë jam deklaruar për pozitën e deputetit, mirëpo ende nuk kam dhënë dorëheqje. Dorëheqja ndodh ditën kur betohna në parlament, prej atij momenti më nuk jam kryetar. Ditën kur betohna në parlament e dorëzoj edhe veturën, edhe një letër”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

KALLXO.com kërkoi shpjegim edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nëse Selmanaj ka të drejtë të përdor makinën dhe kompetencat tjera, pasi njoftoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Deçanit.

Divizioni për Komunikim Publik i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal kësaj kërkese i është përgjigjur me dërgimin e një shkrese që u ka shkuar kryetarëve të komunave dhe kryesuesve të kuvendeve komunale në lidhje me respektimin e ligjeve për vetëqeverisje lokale, zgjedhjeve lokale dhe atij për shërbimin civil.

Në shkresë thuhet se kryetarët e komunave që janë përcaktuar të mbajnë pozitën e deputetit duhet të japin dorëheqje pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Kur kryetari ose zyrtarët tjerë vendosin ta mbajnë pozitën e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës pas certifikimit të rezultateve zgjedhore duhet të japin dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komunës, respektivisht pozitat tjera që mbajnë në komunë”, thuhet në shkresën e MAPL-së.

Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit më 7 korrik, ndërsa në to Rasim Selmanaj mori 9844 vota, duke u renditur i 31 në listën e PAN-it për deputetë.

Ministria më tutje sqaroi se deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të përcaktuara për datën 22 tetor, kryetarin e dorëhequr e zëvendëson nënkryetari i komunës.