Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Europian Mirëpresin Ratifikimin e Demarkacionit

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon e kanë mirëpritur lajmin pozitiv për ratifikimin e Demarkacionit në Kosovë.

Igor Soltes ka thënë se dita e sotme është një ditë e madhe për qytetarët e Kosovës.

“Unë e mirëpres fuqishëm që akterët politikë më në fund arritën t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet e brendshme dhe vepruan në interesin më të mirë të popullit të tyre. Sot, vagoni i cili çonte drejt izolimit është vendosur në rrugë të duhur përsëri, e cila është drejt të ardhmes europiane”, ka theksuar Soltes.

Më tej Soltes ka shtuar se pasi njëra nga pengesat më kryesore është kaluar të gjithë sytë tani do të jenë te BE-ja dhe institucionet e saj për aprovimin e regjimit pa viza për Kosovën.

“Parlamenti Europian do të thërras Komisionin Europian për t’ia prezantuar konkluzionet sa më shpejtë që të jetë e mundur për të dhënë dritën e gjelbër për regjimin pa viza për Kosovën”, ka thënë Soltes.

Kurse raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave për Kosovës, Tanja Fajon ua ka uruar qytetarëve të Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend.

“Urime për miqtë e mi, partnerëve dhe qytetarëve të Kosovës. Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është një hap i rëndësishëm për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë dhe një shenjë e një angazhimi të vërtetë në suksesin e këtij procesi. Fuqimisht e mirëpres që Kuvendi i Kosovës më në fund ka tejkaluar një pengesë të rëndësishme në rrugën e Kosovës për të përmbushur kushtet para se të hiqen vizat për qytetarët kosovarë”, ka përfunduar Fajon.