Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

Raportim i ‘Mbyllur’ i Hysenit për MSA-në

Ministri Skender Hyseni tha pas takimit të Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim se ka raportuar për progresin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA.

Raportimi është bërë prapa dyerve të mbyllura.

Pas takimit, ministri Hyseni tha se ishte një “bashkëbisedim i mirë” me anëtarët e Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimit.

“Trajtuam progresin që Ministria e Punëve të Brendshme e ka ba në zbatimin e masave për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi nga fushëveprimi i vet”, tha ai.

Ministri theksoi se brenda Komisionit ishte një konstatim i përbashkët se ka masa të pazbatuara në lidhje me MSA-në.

“Ishte konstatim i përbashkët që është bërë progres në këtë fushë te MPB po në të njëjtën kohë u konstatua që ka edhe masa të pazbatuara. Masat më të mëdha lidhen me veprime ndërsektoriale dhe kushtëzohen nga progresi në fushën e legjislacionit por që ta përmbyll, ishte një bashkëbisedim i mirë, një shqyrtim shterues i asaj që ku gjendemi në fushën e zbatimit të masave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e që bien në fushën e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shtoi ai.

Edhe raportimi i ministres për Dialog, Edita Tahiri, para të njëjtit Komision u bë prapa dyerve të mbyllura.