Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: ZKM

Raporti: Tri të Arriturat më të Mëdha në 100 Ditët e Haradinajt

Në raportin 26-faqësh të punës së Qeverisë që kryeministri Haradinaj ua ka dorëzuar presidentit Thaçi e kryeparlamentarit Veseli, përshkruhet puna e ekzekutivit në 100 ditët e para të mandatit.

Tri pikat e para të listuara në këtë raport si të arriturat e kësaj Qeverie janë: marrëveshja e nënshkruar sot për termocentralin “Kosova e Re”, marrëveshja 49 milionëshe “Threshold” dhe procedimi i projektbuxhetit prej mbi 2 miliardë euro për vitin 2018.

Në 100 ditë pune kjo Qeveri ka mbajtur 20 mbledhje dhe ka marrë 223 vendime, ku ndër to janë aprovuar 43 projektligje.

Në raport thuhet se “janë ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e plotë të MSA-së, duke përshpejtuar përmbushjen e ERA-s (Agjenda e Reformave Europiane) me synimin për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2018”.

E pikë e pestë përmendet raporti i fundit i Bankës Botërore, ku Kosova është radhitur në mesin e 10 vendeve më reformatore në botë.

Punë tjetër e kryer në këta tre muaj, sipas raportit, është që Qeveria e Kosovës ka siguruar fonde shtesë në vlerë prej 4 milionë e 749 mijë e 377 euro për kryerjen e obligimeve të mbetura ndaj kategorive të Lirisë, si dhe ndarja e të gjitha fondeve të nevojshme për veteranët për vitin 2018.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 33 milionë euro për të gjithë  invalidët e luftës çlirimtare”, thuhet në raport.

E arritur tjetër përmendet shtimi i buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë prej 18 milion eurosh.

Vendimet për ndarjen e mjeteve financiare  

Në raport përmenden edhe projektligjet që ka miratuar kabineti qeveritar në tre muaj punë.

Projektligji i parë i listuar është ai për Kryeqytetin.

Pas tij listohen Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për lirinë fetare në Kosovë dhe Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

E në vendimet e marra për ndarjen e mjeteve financiare, në raport përmenden 50 mijë eurot për ekspertizën jashtë vendit të rastit të Astrit Deharit, 300 mijë euro për 111 delegatët që kanë shpallur Deklaratën Kushtetuese më 2 Korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990.

Më pas listohen, siç thuhet në raport, vendimet e tjera të Qeverisë që pritet të kenë efekt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.

E këtu si vendim i parë listohet vendimi për emërimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Më pas, në raport listohen edhe ministritë me të arriturat që lidhen me secilën veç e veç.