Foto: KALLXO.com

Raporti i Progresit Sheh Vendnumërim të Kosovës

Raporti i sivjetmë për Kosovën i Komisionit Evropian nuk ka vërejtur ndonjë progres të theksuar në ndonjë fushë që ai mbulon.

Raporti vëren se “Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes për ta luftuar korrupsionin”.

Sipas raportit, Kosova ka forcuar kapacitetet institucionale për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar me themelimin e ekipeve multi-disiplinare hetuese, vendosjen e një mekanizmi përcjellës për rastet e nivelit të lartë të korrupsionit si dhe forcimin e departamentit për krime të rënda të gjykatave themelore.

“Kjo ka çuar në në një numër në rritje të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë që janë duke u hetuar dhe ndjekur. Megjithatë, korrupsioni mbetet mbizotërues në disa fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz. Një vullnet më i fuqishëm politik për ta luftuar këtë në mënyrë më gjithëpërfshirëse është i domosdoshëm”, thuhet në raport.

Por për dallim nga raporti i vitit të kaluar kur fjala “korrupsion” në raport përmendet 66 herë, këtë vit kjo fjalë është përdorur më shpesh- 83 herë.

Raporti e vendos Kosovën gjithashtu “Në një fazë të hershme” në luftimin e krimit të organizuar.

Sipas dokumentit, numri i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare mbetet i ulët.

“Hendeqet në legjislacion mbesin dhe zbatimi duhet të përmirësohet sidomos në pastrimin e parave, konfiskimin e pasurisë dhe hetimet financiare”, thuhet në raport.

Në pjesën e Kuvendit, raporti thotë se ky institucion duhet të luajë një rol qenësor në garantimin e kontrolleve dhe balancit të duhur që është i domosdoshëm për një demokraci.

“Është në përgjegjësi të të gjithë deputetëve që të sigurohen se Kuvendi mund ta përmbushë këtë rol. Bojkotet dhe obstruksionet e vazhdueshme të dhunshme të punës së Kuvendit kanë ndikuar negativisht në aktivitetet parlamentare gjatë periudhës raportuese. Shkeljet e procedurave parlamentare vazhdojnë të mbesin shqetësim”, thuhet në raport.

Sa u përket emërimeve në institucionet dhe agjensitë e pavarura nga Kuvendi, raporti thotë se gjatë periudhës raportuese këto emërime shpesh janë bërë mbi baza të ndikimit politik.

“Kuvendi ka dështuar që t’i mbikëqyrë në mënyrë korrekte institucionet e pavarura, autoritetet rregullative dhe agjensitë, raportet e të cilave shpesh janë miratuar pa debate apo u shqyrtuar plotësisht”, thuhet në raport.

Në pjesën për RTK-në, raporti thotë se financimi i këtij transmetuesi publik në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shteti “minon pavarësinë e tij, dobëson qëndrueshmërinë afatgjatë dhe e lë atë në mëshirë të ndikimeve politike”.

“Kuvendi ende nuk ka gjetur një zgjidhje të qëndrueshme financiare për RTK-në ndërsa afatet ligjore për këtë knë skaduar në prill 2015”, thuhet në raport.

“Tendenca e Kuvendit për ta zgjidhur financimin e RTK-së përmes financimit të përhershëm nga shteti në mënyrë tgë kundërligjshme është një shqetësim”, thuhet në raport.

Raporti thotë gjithashtu se performanca e bordit të RTK-së duhet të përmirësohet përderisa “emërimi i një drejtori të kanalit serb të RTK-së në maj 2016 është anuluar sepse kishte shkelje të dispozitave ligjore”.

Raporti përmend edhe sulmin me bombë verën e këtij viti ndaj RTK-së dhe një sulm tjetër në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Politika kontrollon shtetin

Sa i takon emërimeve në institucione të pavarura, politizimin e administratës publike dhe mungesën e llogaridhënies ndër institucionet shtetërore, raporti përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë.

Në raport përmendet se Kuvendi përfundoi shumicën e emërimeve të vonuara në institucionet dhe agjencitë e pavarura. “Megjithatë, emërimet janë shpesh subjekt i ndikimit politik. Diçka e tillë minon funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efektiv të këtyre organeve. Përpjekje më të mëdha nevojiten për të siguruar që emërimet të bazohen në merita”, thuhet në raportin e progresit për Kosovën.

Më tej theksohet se “politizimi i vazhdueshëm i administratës publike… mbetet një shqetësim serioz” dhe se organizimi i administratës shtetërore është i “fragmentuar dhe nuk garanton linja të qarta llogaridhënieje”, ndërsa mbivendosja e përgjegjësive të agjencive qeveritare duhet adresuar.

Llogaridhënia shtetërore, e vendosur në kontekst të mungesës apo kufizimeve me të, është ndër shqetësimet e përsëritura në dokumentin që vlerëson progresin e Kosovës në përmbushje të kërkesave dhe standardeve evropiane.

“Mbikëqyrja parlamentare e aktiviteteve të qeverisë duhet të rritet. Rekomandimet e institucioneve mbikëqyrëse duhet të zbatohen, për të siguruar qeverisje dhe llogaridhënie të përmirësuar”, thuhet në raport.

Po ashtu, vlerësohet se ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve të gjyqësorit dhe se administrimi i drejtësisë është i ngadaltë dhe joefikas. Sipas raportit të Komisionit Evropian, gjyqësori është ende i cenueshëm nga ndikimi politik dhe institucionet e zbatimit të ligjit vuajnë nga mungesa e financimeve dhe burimeve njerëzore.

Materiali vlerëson se një farë progresi është realizuar me përshtatjen e një strategjie gjithëpërfshirëse të menaxhimit financiar dhe të ligjit për procedura të përgjithshme administrative.

“Megjithatë, Kosova nuk ka adresuar rekomandimet e Komisionit [Evropian] në fushën e llogaridhënies. Rekrutimi jomeritor vazhdon të ketë ndikim negativ mbi efektshmërinë, efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike”, theksohet në raport.

Shqetësim përbën edhe zbatimi i reformave të parapara për administratën publike, për të cilën thuhet se raportet e para të monitorimit mbi zbatimin e pakos së reformave në administratë tregojnë vonesa të konsiderueshme. Gjithashtu, përmenden shqetësime për qëndrueshmërinë financiare të këtyre reformave.

Lidhur me këto mangësi në reforma, Komisioni Evropian vendos përgjegjësi direkte mbi klasën politike. “Duke pasur parasysh agjendën ambicioze të reformave të Kosovës, angazhimi i fortë dhe i vazhdueshëm politik është thelbësor për zbatimin e saj”.

Komisioni ka vendosur një sërë prioritetesh për Kosovën në vitin 2017, sa i takon këtyre reformave. “Kosova duhet të rishikojë të gjitha organet e pavarura dhe të fillojë zbatimin e rekomandimeve të rishikimit në mënyrë që të rrisë llogaridhënien, eliminojë mbivendosjen e kompetencave dhe të sigurojë një administratë publike më të koordinuar”, thuhet në raportin e progresit të Komisionit Evropian.