Pamje nga seanca e sotme e rastit "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Raporti i Dick Martyt Përmendet në Rastin e Klinikës ‘Medicus’

Hetuesi i EULEX-it, Zhivko Zhivkov, ishte dëshmitar i radhës në gjykimin e mjekëve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Gjatë dëshmisë së tij hetuesi bullgar kryesisht u pyet rreth raporteve të cilat i kishte përpiluar gjatë hetimeve që i kishte kryer për rastin e klinikës “Medicus”.

Ndër të tjera ai përmendi edhe interesimin e Dick Martyt sa i përket këtij rasti.

Avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani, kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse ai ishte takuar ndonjëherë me Dick Martyn dhe nëse kishin biseduar për rastin e klinikës “Medicus”.

Hetuesi e pranoi që në një rast ishte takuar me Dick Martyn dhe tha se ai i kishte kërkuar informacione rreth hetimeve që ishin duke u bërë, por që ai e kishte këshilluar Martyn që për këtë çështje të drejtohej te prokurori.

Në lidhje me raportin e Dick Martyt, hetuesi tha se sipas tij nuk ekziston ndonjë lidhshmëri në mes të atij raporti dhe hetimit të kryer nga hetuesit e departamentit për krime të rënda.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Emin Sylaj, avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani kërkoi nga trupi gjykues që dëshmia e këtij dëshmitari e dhënë në Polici me 4 nëntor të vitit 2008 të konsiderohej si provë e papranueshme për faktin se, sipas tij, në atë kohë dëshmitari deklaratën e ka dhënë si i dyshuar por që betimin e ka dhënë si dëshmitar.

Sipas avokatit, Sylaj nuk është këshilluar se mund të mos deklarohet fare dhe se ka të drejtë të angazhojë një avokat.

Më pas trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit mori aktvendim me të cilin dëshminë e dëshmitarit Emin Sylaj të dhënë në Polici e shpalli si provë të papranueshme.

Pas kësaj situate u pamundësua ballafaqimi i dëshmitarit Sylaj me dy rreshterët e policisë për ta krahasuar deklaratën e tij të dhënë atëherë në Polici, të cilën i njëjti e mohoi në tërësi.

http://kallxo.com/deshmitari-mohon-ti-jete-kerkuar-te-transportonte-pacientet-e-medicus/

Por, edhe pse rreshterët e Policisë kishin qenë të ftuar me ftesë të rregullt në Gjykatë, ata nuk u paraqitën, prandaj trupi gjykues vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit të radhës – hetuesit të EULEX-it Zhivko Zhivkov.

Në lidhje me këto hetime, hetuesi deklaroi se e kishte vizituar agjencionin e fluturimeve “Turkish Airlines” për të marrë informacione në lidhje me emrat e personave nga kartela bankare e të cilëve ishte bërë pagesa e biletave të aeroplanit për pacientët.

Sipas hetuesit nga informacionet që kishin arritur të merrnin nga shteti i Turqisë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare kishin arritur që të kuptonin që disa nga pagesat e biletave për pacientë ishin bërë përmes kartelës bankare të një personi me emrin Moshe Harell.

Në lidhje me këto bileta hetuesi tha se kanë qenë të rezervuara nga dy vende në shtetin e Izraelit.

Sa i përket këtyre dy vendeve nga të cilat ishin bërë rezervimet e biletave ndonëse ishte kërkuar informata shtesë, ai tha se nuk kishin mundur që të siguronin më tepër informata nga shteti izraelit.

Për shtetasin izraelit Moshe Harell hetuesi i EULEX-it tha se kishin marrë informacione nga Republika e Turqisë në lidhje me të gjitha transferet bankare në llogarinë e tij financiare, me ç’rast është vërtetuar se në këtë llogari persona të caktuar kanë transferuar shuma të caktuara parash, deri në shumën prej 81 mijë euro.

Por edhe nga llogaria e Moshe Harell hetuesi tha se ishin bërë transfere të parave ku përmendi një rast ku ai i kishte transferuar një personi shumën prej 85 mijë eurove.

Më pas prokurorja Valeria Bolici e pyeti dëshmitarin nëse e kishte vizituar ndonjëherë klinikën “Medicus”, gjë për të cilën dëshmitari tha se e kishte vizituar pasi që kishte pasur një informacion se përkundër se nuk kishte licencë ajo është duke e ushtruar veprimtarinë.

Me ç’rast dëshmitari tha se pasi që e kishin vizituar klinikën aty e kishin takuar dr. Dervishin dhe klinika kishte qenë funksionale edhe përkundër faktit që e njëjta nuk kishte pasur licencë.

Kurse mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Valon Hasani dëshmitarin e pyeti edhe nëse hetuesit gjatë hetimeve kishin arritur që të vërtetonin nëse Lutfi Dervishi apo klinika “Medicus” kishin arritur të përfitonin përmes transaksioneve të kryera nga shtetasi izraelit.

“Nga hetimet që i keni realizuar Lutfi Dervishi apo klinika “Medicus” a ka përfituar ndonjë përfitim financiar nga transaksionet që i keni analizuar”, e pyeti avokati dëshmitarin.
Por dëshmitari tha se nuk kishin arritur të gjejnë ndonjë transaksion nga Moshe Harell drejtuar dr. Dervishit apo klinikës “Medicus”.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.