Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Raporti i Britanikëve Anulon Konkursin për Drejtor të Burgjeve

Ministria e Drejtësisë me anë të njoftimi ka bërë të ditur se i ka kërkuar Ministrisë së Administratës Publike shpalljen e sërishme të konkursit për drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Njoftojmë opinionin se Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike shpalljen e konkursit për drejtor të Shërbimit Korrektues, siç përcaktohet me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi për emërimin në pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria e Drejtësisë më tutje njofton se me qëllim që në këtë pozitë të zgjidhet një kandidat profesional ishte lidhur një memorandum bashkëpunimi mes  Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ministria tregon se sot ka marrë raportin nga projekti i ambasadës britanike, i cili sugjeron që asnjë nga kandidatët për drejtor të burgjeve “nuk i plotëson kriteret për emërim në këtë pozitë”.

“Bazuar në këtë raport, Ministrja e Drejtësisë pret që Komisioni të marrë parasysh rekomandimin e projektit britanik i cili konstaton se asnjë kandidat nuk i plotëson kriteret dhe konkursi do të duhej të rishpallej”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria tregon se “rishpallja e konkursit do të bëhet në pajtim me procedurat e rekrutimit, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante sipas ligjeve në fuqi”.

Sot KALLXO.com shkroi se tre kandidatë po konkurrojnë për drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

http://kallxo.com/3-kandidate-synojne-postin-e-drejtorit-te-burgjeve/