Gradimir Mikiq, kryetar i komunës së Ranillugut

Komuna e ‘Pastrehë’, e Nisur nga Zero

Xhirimi i debatit në një nga sallat e komunës dhe jo në ndërtesën komunale solli edhe problemin e parë të kësaj komune.

Kryetari i komunës Gradimir Mikiq, i pyetur se pse ndërtesa akoma nuk ka përfunduar tha se “shpresa vdes e fundit”.

“Për këtë është dashur t’i pyesni përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të cilët e kanë bërë këtë përmes tenderimit ndërkombëtar. Ka fituar një kompani kroate dhe ata e kanë pasur planin dinamik që brenda 15 muajve ta përfundojnë. Pas 50 muajve kjo akoma nuk është përfunduar”, tha ai.

Sipas kryetarit të komunës problem ka qenë falimentimi i kompanisë “Tekno Beton Zagorje”, pasi që para ka mjaftueshëm sepse “nuk do të mund të shpallej tenderi ndërkombëtar pa i pasur paratë”.

Ndërtimin e ndërtesës komunale tani e ka marrë një punëkryes të ri i cili pritet ta filloj punën me 1 prill dhe ta përfundojë brenda vitit.

Sipas tij, e arritur është “çdo kokërr rëre, çdo metër e asfaltuar, çdo sistem i ujësjellësit, çdo përmirësim i kushteve në arsim, shëndetësi, çdo ndihmë e qytetarëve”.

Ai tha se çdo zhvillim në këtë komunë është rezultat i punës që kanë realizuar këta vetë.

“Ne kemi ardhur në një livadh, nuk kemi trashëguar asgjë. Kemi filluar nga zeroja. Nga minusi. Tani dalë nga dalë fshatrat tona po bëhen hapësira urbane, ndonëse ende janë gjysmë urbane. Jeta po bëhet gjithnjë me e rregullt”, tha ai në debatin “Jeta në Komunë”.

Nga diskutimi për ndërtesën e komunës dhe të arriturat e kryetarit në debat është biseduar për infrastrukturë dhe për kanalizim.

Sipas tij, rruga Ropotovë-Rajanovc është në gjendje mjaft të mirë mirëpo është dëmtuar për shkak të mos rregullimit të kanalizimit dhe posa të gjenden parat do të rregullohet.

“Ne e kemi punuar këtë rrugë 10 herë përmes komunës së Kamenicës…mirëpo është e vërtetë që kjo rrugë do të shkatërrohet nëse nuk ndërtohen kanalet”, tha ai.

Kurse për rrugën Ropotovë-Ranilug tha se rruga është dëmtuar sepse nuk është ndërtuar mbi një bazë të fortë.

“E kemi paralajmëruar ministrinë që nuk mund ta bëjë vetëm ashtu. Mirëpo ka qenë fushata parazgjedhore edhe ata e kanë pasur të qartë, por qëllimi ka qenë vetëm që të bëjmë diçka. Edhe neve na ka konvenuar”, tha Mikiq duke sqaruar se kjo rrugë të dërgon tek ndërtesa e re komunale.

Kur tema kaloi tek kanalizimi kryetarin filloi të flasë për problemin me kanalizimin në Domorovc për të cilin i fajësoi kundërshtarët politik.

“Nga këto puseta të kanalizimit me dhjetëra herë kemi nxjerrë thasë të mbushura me gjëra, batanije dhe të gjitha këto janë sabotime të oponentëve politikë”, tha ai.

Për zgjidhjen e këtij problemi ai tha se kanë nënshkruar një memorandum me “Hidromoravën” të cilët janë paguar disa herë që të pastrojnë gropat mirëpo “kjo është pakujdesi dhe vepër qëllimkeqe e dikujt”.

Ai premtoi se ky problem do të zgjidhet gjatë muajve maj ose prill të këtij viti njësoj si do të bëhet edhe ndërtimi i banjës në qoftë se ligji për Investime Strategjike miratohet nga kuvendi i Kosovës.

“Pyeteni ministrin e bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përse nuk e kanë lejuar që ato 4 hektarë t’í bashkëngjiten asaj toke që e ka ndërmarrësi i cili në bashkëpunim me korporatën austriake ka dashur që ta ndërtojë atë qendër rekreative shëndetësore”, u shpreh ai.

Sipas tij, përveç qendrës rekreative dhe banjës është planifikuar që të krijohet edhe një fermë e shpezëve e cila do të ketë edhe një thertore dhe do të ndihmojë ekonominë e komunës.

“I kemi gjetur investitorët të cilët do të vijnë këtu dhe do t’i investojnë 15 milionë euro dhe do të punësojnë në fillim 300 persona”, theksoi ai.

Ai fajësoi Agjencionin e Privatizimit kur u pyet për çështjen e kombinatit bujqësor “Zhivko Vasiq”,

“Agjencia e Privatizimit është një kancer i të gjithë komunave, përfshirë komunën tonë. Nëse ata nuk i respektojnë ligjet që i ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, atëherë këtu diçka nuk shkon”, tha ai.

Kryetari debatoi edhe në lidhje me 33 hektarët të njohur si rasti i Arbenita Demolli i cili sipas vendimit të Gjykatës Supreme mund të privatizohet.

“Kur e kanë parë ata që komuna dëshiron ta rimarrë atë tokë atëherë e kanë përshpejtuar procesin e privatizimit”, tha ai

Sipas tij kuvendi komunal e ka shpallur atë tokë me interes të përgjithshëm dhe aty nuk mund të mbillen fruta dhe të bëhet zonë bujqësore.

“Mund të prisni ndryshime të mëdha në komunën e Ranillugut nga vetë fakti që kemi dëshmuar që jemi një ekip serioz”, tha ai duke treguar panët për vitin 2016.

Komuna e Ranillugut ka gjithsej 13 fshatra ndërsa ka 15 këshilltarë komunalë nga partia Iniciativa Qytetare Serbe, Partia Popullore Serbe e Kosovës, Partia e Pavarur Liberale dhe Iniciativa Qytetare për Kosovën.