Ramush Haradinaj Lirohet, por Mbetet në Slloveni

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është lënë i lirë nga autoritetet sllovene pas disa orëve të ndalimit policor në Aeroportin e Lubjanës, por gjykata ia ka ndaluar pasaportën duke ia bërë të pamundur kthimin sot në Prishtinë.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha sonte në një konferencë për shtyp se një vendim rreth Haradinajt pritet të merret gjatë ditës së nesërme.

Gjini u shpreh se AAK është thellësisht e indinjuar me veprimin e sotëm të organeve sllovene të rendit.

“Ky veprim nuk është vetëm fyerje për Kryetarin Haradinaj dhe për Aleancën, por është fyerje edhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që t’i drejtohet Qeverisë së Sllovenisë menjëherë me një Notë Proteste”, u shpreh Gjini.

Ramush Haradinaj Ndalohet në Lubjanë, Sipas Fletarrestit nga Serbia

15:14

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është ndaluar sot në Lubjanë, nga autoritetet sllovene, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006, ka konfirmuar partia e tij.

Ndalimi i Haradinajt është bërë përderisa ai po shfrytëzonte territorin slloven si ndalesë në rrugën e tij drejt Kosovës pas një qëndrimi zyrtar në Gjermani.

AAK ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi të policisë sllovene duke e konsideruar këtë si “një veprim ndërhyrje me qëllime të njëjta dhe identike si të policisë serbe” ndaj z.Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe udhëheqës i njohur i luftës për lirinë e Kosovës.

“AAK kërkon veprim të menjëhershëm për lejimin e z. Haradinaj në udhëtimin e tij drejt Prishtinës, dhe e konsideron këtë ndalim tendencë të qëllimshme ndaj personalitetit dhe gjithë asaj që përfaqëson z. Haradinaj”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

AAK thotë se fletarrestet serbe, njollosjet dhe sulmet ndaj z. Haradinaj janë zhvleftësuar dhe demantuar disa herë dhe në forma të ndryshme.

Kjo nuk është hera e parë që një ish drejtues i UÇK-së ndalohet në shtetet evropiane në bazë të fletarresteve nga Serbia.

Me këtë situatë, më parë janë përballur edhe ish komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, si dhe ministri aktual i punëve të jashtme, Hashim Thaçi.