Kryeministri Haradinaj në konferencën për Ditën e Komunitetit Boshnjak. Foto: ZKM

Ramush Haradinaj Kërkon Njohjen e Kosovës nga Bosnja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga shteti i Bosnjës e Hercegovinës që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Këtë kërkesë, kreu i qeverisë së Kosovës e bëri të enjten gjatë një tubimi për nder të Ditës së Komunitetit Boshnjak në Kosovë.

Haradinaj ka kërkuar që të ruhen raportet e mira mes komuniteteve në Kosovë, madje ka kërkuar nga komuniteti boshnjak që të angazhohet që këto raporte të bëhen miqësore edhe mes Sarajevës dhe Prishtinës.

“Do t’i lus boshnjakët e Kosovës që kjo porosi të shkoj edhe në Bosnje, në Sarajevë, që është me rëndësi që edhe Sarajeva të shoh pozicionin e Kosovës dhe të bëjmë hapa të rëndësishëm deri tek njohja, fillimisht duke mundësuar lëvizjen e  lirë të qytetarëve tanë, të udhëtojmë deri në Bosnjë, sepse kjo është e drejtë njerëzore. Pastaj me rëndësi për të gjithë është edhe bashkëpunimi ekonomik” tha kryeministri Haradinaj.

Bosnja përveç se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, deri më tani nuk i ka pranuar as dokumentet e udhëtimit për kosovarët, gjë që ka paraqitur pengesë në lëvizje të lirë.

Në vitin 2014, Kosova ka vendosur masa reciprociteti ndaj shtetasve të Bosnjës duke aplikuar regjimin e vizave për ta.

Por Haradinaj ka theksuar rëndësinë e respektimit të njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve. Duke konsideruar si njërin prej komuniteteve që është angazhuar në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, kryeministri Haradinaj ka theksuar se kjo ditë është festë për të gjithë.

“Të gjithë kemi dallime mes njëri-tjetrit, partiake apo tjera, por kemi disa ditë të cilat janë të veçanta dhe të gjithë jemi së bashku. Sot ndjehem si njëri prej jush” ka theksuar kryeministri Haradinaj.

Ministri i Zhvillimit Regjional, Rasim Demiri, ka theksuar se komuniteti boshnjak do të vazhdoj të jetë pjesë e rëndësishme e Kosovës, dhe të angazhohet në zhvillimin e Kosovës.

“Dita e Boshnjakëve të Kosovës është me rëndësi për shkak se boshnjakët ishin aktiv në luftën e Kosovës, në formimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës, prandaj nuk është festë e jona, por festë e gjithë vendit, e të gjithë neve, që gjithmonë kemi qenë bashkë dhe në promovimin e tolerancës dhe bashkëpunimin mes kombeve jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit” ka theksuar Demiri.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, tha se Republika e Kosovës është pjesë e pandashme dhe boshnjakët janë pjesë përbërëse e saj. “Komuniteti boshnjak në Kosovë dhe përfaqësuesit politik me angazhimin e tyre kanë pasur dhe besoj se do të kenë edhe më tutje ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e tërësishëm të Kosovës. Kosova si shtet i ri dhe që ka pasur pengesa gjatë krijimin e shtetndërtimit ka arritur të ndërtoj demokracinë dhe institucione shtetërore dhe para vetës ka ende sfida, por në këtë rrugë duhet të jemi aktiv dhe së bashku t’i tejkalojmë këto sfida” tha ai.

Para të pranishmëve, folën edhe deputetet Duda Balje nga Koalicioni Vakat dhe dhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike.