Foto: Atdhe Mulla

Ramush Haradinaj: 69 Zyrtarë Paguhen më Shumë se Kryeministri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e mbrojti sot në Kuvend vendimin e marrë për rritjen e pagave për zyrtarë të lartë të qeverisë.

Ai u ankua se paga e kryeministrit të vendit është shumë poshtë në renditjen e pagave që marrin zyrtarët shtetërorë dhe, sipas tij, nuk përkon me përgjegjësitë që duhet t’i kryejë një kryeministër.

“Janë 69 zyrtarë tjerë që marrin pagë më të madhe se kryeministri juaj. Pse është kështu dhe pse është lënë kështu në të kaluarën, është pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes, mirëpo në bazë të përgjegjësive, Kryeministri, kryetari i KGJK dhe kryetari i KPK nuk guxojnë të jenë në renditje në vendin e 69”, tha Haradinaj gjatë interpelancës së thirrur nga Vetëvendosje dhe LDK për vendimin për rritjen e pagave.

Vendimi është pezulluar nga qeveria meqë VV e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo çështje është në Gjykatën Kushtetuese dhe si e tillë unë pres vendimin e Kushtetueses dhe do ta respektojmë. E kemi pezullu vendimin”, tha Haradinaj.

Paraprakisht, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e kritikoi vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave.