Ramadan Zejnullahu Kthehet në Punë

Ramadan Zejnullahu ka vendosur të kthehet në pozitën e tij si rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lajmin për kthimin në zyrën e tij si drejtues i Universitetit më të madh në vend e ka konfirmuar zyra e rektorit në UP e cila ka shpërndarë një deklaratë të tij.

Ai këtë vendim thuhet ta ketë marrë pas një sërë diskutimesh me drejtues të sistemit arsimor në Kosovë.

“Në një situatë të tillë do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime dhe e ekipit tim që ta braktisim Universitetin, edhe pse jemi të vetëdijshëm për të gjitha pengesat që i kemi”, tha Zejnullahu përmes një deklarate.

“Prandaj, kam vendosur të qëndroj në krye të Universitetit deri në përfundimin e procesit zgjedhor, në fillim të vitit 2016. Gjatë kësaj periudhe do të vazhdoj të insistoj në respektimin e ligjshmërisë dhe të standardeve akademike, duke mos bërë kompromise që dëmtojnë cilësinë dhe kredibilitetin e institucionit.  Do të punojmë aq sa na lejojnë kushtet për t’i adresuar problemet aktuale dhe për të krijuar kushte për zgjedhje të ndershme”, tha Rektori Zejnullahu.

Zejnullahu qe shkarkuar nga pozita e rektorit të mërkurën e kaluar pas një votimi të Këshillit Drejtues, por ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, një ditë më pas shfuqizoi këtë vendim.

Pas shkarkimit Zejnullahu u shpreh: “Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”.

E menjëherë pas MAShT doli në mbrojtjen e tij. Ndërsa sot Rektori deklaroi se u obligohet mbështetësve.

“Anulimin e vendimit për shkarkim nga ministri i arsimit dhe dënimin e këtij akti të papërgjegjshëm nga opinioni i gjerë publik i kam kuptuar dhe i kuptoj si mbështetje për punën që kam bërë deri tani bashkë me ekipin tim. Kjo mbështetje më nderon dhe më obligon”, tha ai.

Një ditë pas shkarkimit, ministri i Arsimit shfuqizoi vendimin e Këshillit dhe shoqëria civile doli në protestë për ta mbështetur atë.

Po ashtu të shtunën qeveria ka shpallur zgjedhje të parakohshme në UP, proces i cili pritet të përfundojë deri në mars të 2016.

Ky vendim i Qeverisë erdhi pas vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahut, i cili pasoi vendimin e MASHT për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues, shkarkimin e Kryesueses së këtij këshilli, Shefkije Islamaj, dhe për kthimin e Zejnullahut në pozitën e rektorit.

Shkarkimi i dekanëve të fakulteteve, shkarkimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në universitet kanë qenë ndër kërkesat e pjesëmarrësve të protestës kundër shkarkimit të rektorit Zejnullahu që u mbajt të enjten e kaluar.

Krejt në fund Zejnullahu shpreson në reflektim të thellë duke kërkuar dhe pjesëmarrje më aktive në dialog për çështjet aktuale.