Ish-Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja | Foto: KALLXO.com

Ramadan Muja do të Gjykohet në Gjilan

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja dhe zyrtarët e ish-zyrtarët tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të, do të udhëtojnë drejt Gjilanit për të marrë pjesë në seancat e gjykimit ndaj tyre.

Gjykata e Apelit vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe ë tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj gjykate Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej MUja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Bëhej fjalë për akuzën e ndalimit të pjesëmarrjes së ekspertëve-gjeodetëve komunalë në ekspertizat e gjykatës, ndërsa vetë kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar ishin dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje,  për shkak se ekzistojnë pengesa juridike dhe faktike ashtu siç parashihen në dispozitat e nenit 37 të Kodit të Procedurës Penale.

Ky nen përcakton kompetencën e Gjykatës së Apelit për të vendosur lidhur me konfliktin e kompetencave të gjykatave të rangut më të ulët.

Ramadan Muja, së bashku me zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues- ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.

http://kallxo.com/supremja-kthen-ne-apel-vendimin-per-ramadan-mujen/

Gjykata e Apelit kishte vendosur pastaj që rastin ta kthejë në rigjykim.