Edi Rama duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 28 shtator 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Rama: Shqipëria i meriton negociatat

Shqipëria nuk ka asnjë mëdyshje për orientimin e saj kah Bashkimi Europian.

Në një intervistë për një prej të përditshmeve më të mëdha të Austrisë, Kurir,  kryeministri Edi Rama ka vënë në dukje pozicionimin e qartë të Shqipërisë, duke iu përgjigjur pyetjes nëse anëtarësimi në BE është mbrojtje nga ndikimi rus në Ballkan.

“Kjo nuk duhet të kthehet në dilemë mes më shumë reformave, apo më shumë haviari. Kjo nuk ka rëndësi, le të na ofrojnë sa havjar të duan”, tha Rama.

Ai ka reaguar edhe ndaj skeptikëve të zgjerimit, veçanërisht deklaratave të fundit të presidentit të Francës.

“Ajo që ne kërkojmë është një recetë. Negociatat e anëtarësimit janë receta për një terapi të re që të trajtojë plagët dhe problemet e se shkuarës. Nëse BE çel negociatat, atëherë ajo ka më shumë mjete dhe mundësi presioni ndaj vendeve kandidate”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë vuri në dukje se Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër përpara çeljes së bisedimeve për anëtarësim.

“Na thanë, duhet të skanoni gjyqtarët dhe prokurorët dhe do merrni OK për negociatat. Ne e bëme dhe sot akuzohemi se ka shumë kriminalitet dhe korrupsion. Po cila është rruga më e mirë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin se sa ndërtimi i një sistemi drejtësie nga e para?”, theksoi kryeministri.

Shqipëria, theksoi Rama, e meriton hapjen negociatave në qershor pasi vetingu ka dhënë rezultatet e para dhe 27 gjyqtarë janë larguar nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që i njëjti proces skanimi në polici ka sjellë dorëheqjen e 350 pjeëstarëve të uniformave blu.