Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Rama: Serbia në BE Pasi ta Njohë Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë të dhënë për mediat serbe derisa po qëndron në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës ka thënë që Shqipëria dhe Serbia mund të hyjnë së bashku në BE me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën.

“Është një proces i bazuar tek merita dhe ndërsa flasim Serbia është më përpara, sepse Serbia tashmë është duke negociuar dhe ne jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit. Por është një garë e shëndetshme, le të themi. Po, ne duam shumë të kemi një ecuri shumë më të shpejtë, le të themi, dhe pse jo të jemi thjesht në të njëjtën pozitë në të ardhmen dhe pse jo të hyjmë në BE së bashku, me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën”, është shprehur Rama.

Kryeministri Rama po ashtu e ka vlerësuar krijimin e Gjykatës Speciale si një proces të pakthyeshëm.

“Unë mendoj që është një proces i pakthyeshëm, edhe pse mendoj së është e rëndësishme të kesh gjithnjë një mendje të hapur në lidhje me çfarë është më e mira dhe çfarë mund të përmirësohet. Kështu që nuk mendoj se ideja dhe gjykata si e tillë është në ndonjë lloj rreziku dhe nëse ka një debat rreth përmirësimit është një debat i mirë”, ka potencuar Edi Rama.

I pari i Qeverisë shqiptare komentoi edhe fjalimin e kancelares gjermane Angela Merkel në Forumin Ekonomik Botëror duke thënë se Merkel  është e vetmja, e cila mbajti gjallë jo vetëm Europën, por edhe vlerat europiane, parimet europiane dhe ëndrrën europiane, duke qëndruar e fortë në një moment shumë të vështirë, kur Gjermania u përball me krizën dramatike të refugjatëve dhe ajo nuk luajti politikisht me këtë gjë.