Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai kosovar, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Rama Flet për Ndëshkime dhe Ulje Selektive të Taksës

Edi Rama pas protestës që dogji sportelet e pagesës në “Rrugën e Kombit”, paralajmëroi ndëshkime dhe lehtësira.

“Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, zjarri i sotëm dhe dhuna barbare e ushtruar mbi pronën e përbashkët, e mbi investimin e kryer në bazë të ligjit si dhe goditja e policisë së shtetit janë krime të rënda”, tha Rama.

Ai paralajmëroi ndëshkimin e përgjegjësve.

“Ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me gjithë rëndesën e forcës së ligjit”, tha Rama.

Sot te tuneli i Kalimashit u protestua kundër taksës së “Rrugës së Kombit”, ndërsa u dogjën sportelet ku kryheshin pagesat dhe pati protestues e policë të lënduar.

Rama tha se ata që dogjën sportelet nuk janë populli i Kukësit e as i veriut të Shqipërisë.

“Kukësi nuk mund dhe nuk do të kthehet kurrë në mish për zjarrin që duan të ndezin kartat e djegura të politikës së Tiranës. Për mua si Kryeministër vandalët që dhanë sot një shfaqje të neveritshme antishtet, nuk janë Kukësi, nuk janë populli”, tha Rama.

ai tregoi se për ata që përdorin shpesh “Rrugën e Kombit” do të ketë çmime më të ulëta.

“Kontrata parashikon karta të posaçme kalimi me një pagesë të reduktuar për çdo banor të zonës që është përdorues i shpeshtë i asaj rruge”, tha Rama.

Automjetet me katër rrota për çdo kalim në autostradë do të paguajnë 5 euro për një drejtim.