Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Rama Beson se Haradinaj do të Ndahet nga Pozicioni për Demarkacionin

Pas takimit në Tiranë mes Edi Ramës e Ramush Haradinajt, dy kryeministrat dolën në një konferencë për gazetarë në të cilën përveç fjalëve hyrëse, u pranuan nga dy pyetje siç tha Rama nga “gazetarë matanë bjeshkëve dhe nga gazetarë këtej bjeshkëve”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për demarkacionin me Malin e Zi, Rama deklaroi se beson që Haradinaj do ta ndryshojë pozicionin opozitar.

“Natyrisht, ka një proces të natyrshëm fiziologjik kalimi nga opozita në qeveri, kështu që kryeministri kërkon edhe pak kohë besoj që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar ndaj këtij problemi”, tha Rama, duke kërkuar edhe nga ish-kryeministri Mustafa që të mos kalojë tash në pozicion opozitar për demarkacionin.

Fjalët e Ramës për mundësi të ndryshimit të qëndrimit ndaj demarkacionit, Haradinaj i përcolli vetëm me një buzëqeshje.

Megjithatë, kur foli për demarkacionin, Haradinaj tregoi se Kosova kur ta ketë më të qartë situatën do të komunikojë me shtetin fqinj.

“Kur kemi një situatë më të qartë do t’i drejtohemi shtetit fqinj, interesimi ynë është që marrëdhëniet me Malin e Zi t’i forcojmë”, tha Haradinaj.

Në vendimin e tij të parë si Kryeministër Haradinaj pikërisht shkarkoi Komisionin për Shenjimin e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa më vonë emëroi njerëz të rinj në këtë komision.

Por Rama çështjen e demarkacionit e konsideroi jo problem mes dy shtetesh, por vetëm problem të Kosovës.

“Është një problem i cili nuk është problem i Malit të Zi, është një problem politik brenda Kosovës dhe do ta zgjidhi Kosova në funksion të së ardhmes së vet”, tha Rama.

Dy kryeministrave iu shtrua një pyetje edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Rama tha se nuk e kupton kundërshtimin e Serbisë për këtë anëtarësim, duke thënë se pikërisht kjo organizatë me praninë në Kosovë do ta mbronte atë që Serbia e quan trashëgimi të saj kulturore.

Rama e Haradinaj treguan edhe për çfarë ranë dakord gjatë takimit.

Sipas Ramës, kufiri Kosovë- Shqipëri nga viti i ardhshëm do të jetë kufi europian, në të cilin nuk do të hiqen plotësisht kontrollet, por njerëzve do t’u bie shumë rrallë të kontrollohen.

Gjithashtu dy kryeministrat thanë se u morën vesh që të mos ketë probleme me diplomat mes dy shteteve, si dhe për unifikim të kontrollit doganor në portin e Durrësit.

“Çdo gjë e madhe arrihet duke bërë çdo ditë një gjë të vogël”, tha Rama.

Gjatë konferencës u paralajmërua mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të zhvillohet në Korçë më 27 nëntor.