Foto: Kallxo.com

Rakip Abdyli Pendohet në Gjykatë për Veprimet e Tij

Prokurorja e rastit ndaj të arrestuarit të sotëm për terrorizëm, Rakip Abdyli, kërkoi nga gjykata në Pejë që të dyshuarit t’ia caktojë masën e paraburgimit, por avokati i tij e kundërshtoi këtë duke kërkua masë më të lehtë të sigurisë. KALLXO.com sjell në detaje pretendimet e prokurorisë.

Rakip Abdyli, i arrestuari sot në orët e mëngjesit për veprën shtytje për terrorizëm, ka dalë para Gjykatës Themelore të Pejës për caktimin e masës së sigurisë.

NDËRLIDHUR

Me pantolla të shkurtër, një bluzë të gjelbër në të zezë, i riu nga rrethina e Opojës, Abdyli, është sjellë në pranga para gjykatësit të procedurës paraprake për t’u njohur me dyshimet për të cilat ai është arrestuar.

Prokurorja e rastit nga Prokuroria Speciale, Merita Bina-Rugova tha gjatë seancës së sotme se Rakip Abdyli është ndaluar si i akuzuar për thirrje për terrorizëm.

KALLXO.com ka siguruar fotografi ekskluzive të të akuzuarit gjatë seancës.

Thirrja përmes rrjeteve sociale për sulme ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadave të huaja janë arsyeje e arrestimit të dyshuarit Rakip Avdyli sot në mëngjes në qytetin e Pejës.

Sipas Prokurorisë Speciale, Rakip Abdyli, dyshohet për veprën penale shtytje për terrorizëm duke bërë thirrje përmes rrjeteve sociale Facebook dhe Youtube për sulm ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë.

“Prokuroria konsideron se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Rakip Abdyli, duke filluar nga koha ende e pavërtetuar, në mënyra të ndryshme vazhdimisht ka postuar mesazhe kërcënuese për publikun, ashtu që në Facebook përmes profilit të tij me emrin Rakip Abdyli, si dhe në Youtube në faqen “Nasheed” ka postuar video incizime në të cilat të gjithë myslimanëve u bëhet thirrja që në emër të Xhihadit të kryejnë sulme kundër Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadave të huaja në Kosovë dhe paralajmërohet ardhja e Hilafetit, si në incizimin me titull “Në tokën e shqiponjave do të vijë Hilafeti,” tha prokuroria e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina Rugova gjatë seancës së procedurës paraprake.

Sipas Prokurores Bina-Rugova në përmbajtjen bëhej thirrje për sulme individuale dhe grupore ndaj udhëheqësve të vendit.

“Me ketë përmbajtje: Do vijë Hilafeti me përzënien e hienave, do vijë bereqeti, ngrihuni vllazni, ngrihuni o myslimanë bëni xhihad shpëtojeni këtë vatan, bëni sulme vetjake apo në grupe e dhelprave dinake frikën me jau futë. Sulme Istish hadie apo kallashnikov nga rruga selefie t’i mos u largo, dridhjani tokë qafirave, vrisni tagutat hapni rrugë të mirave Sheriatit, shijojani frutat bëhuni emir të vendit tuaj, mos e leni në errësirë nën udhëheqjen e huaj, ata nuk ju a duan të mirën. Drogë, bixhoz e zina jau kanë lanë errësirën, s’ju lënë ju dritë me pa. Kapni armët e sulmoni qeveri e ambasada vendin nga të këqijtë, çlironi nga udhëheqësit ma katolik se Papa,” tha ajo.

“Këto veprime janë bërë me qëllim të kryerjes së ndonjë akti terrorist më rrezik serioz”, tha prokuroria.

“Këtë e ka bërë me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist duke shkaktuar rrezik serioz që veprat të tilla edhe të kryhen. Me ketë i pandehuri kishte për të kryer veprën penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së  Kosovës,” tha ajo.

Po ashtu prokurorja tha së janë gjetur prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet së i dyshuari me vendlindje në komunën e Dragashit dhe vendbanim në Pejë ka dashur ta kryejë këtë vepër penale.

“Ekzistojnë prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohen ekzistimi i dyshimit të bazuar se i pandehuri e ka kryer ketë vepër penale. Aktvendimit mbi fillimin e hetimeve i është bashkangjitur një CD në të cilën gjenden postimet e përshkuara në dispozitivin e aktvendimit mbi fillimin e hetimeve. Në ndërkohë pas kryerjes së kontrollit në shtëpinë e të pandehurit janë gjetur edhe dorëshkrimet e tij me përmbajtjen identike të përshkuar me lartë”, tha prokuroria e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Rakip Avdyli i lindur me vitin 1991, sipas prokurorisë në deklaratën e tij në Polici të Kosovës ka deklaruar së është përkrahës i organizatës terroriste ISIS.

“Po ashtu konsiderojmë se të gjitha faktet dhe elementet e veprës penale shtytjet për kryerjen e veprave terroriste gati që nuk janë kontestuese fare meqenëse i pandehuri në deklaratën e tij e ka vërtetuar orientimin e tij militarist radikal islamit dhe përkrahjen e tij për shtetin islamik dhe organizatën terroriste ISIS. Nga të gjitha këto arsye, konsiderojmë se pa mëdyshje është vërtetuar ekzistimi i bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën kanë filluar hetimet. Po ashtu konsiderojmë se në rastin konkret janë të përmbushura të gjitha kushtet për caktimin e paraburgimit kundër të njëjtit ,” tha prokurorja Bina- Rugova.

I dyshuari për shtytje për kryerjen veprës penale terrorizëm ka deklaruar në polici se ka dëshirë t’i bashkohet organizatës ISIS në shtetin e Sirisë.

“I pandehuri Rakip Abdyli është shumë i radikalizuar dhe sipas raportit të policisë i njëjti madje ka shprehu dëshirën që të shkojë t’i bashkëngjitet organizatës ISIS në Siri. Nga kjo arsyeje konsiderojmë se është i plotësuar kushti (për paraburgim) sepse është e bazuar frika se nëse i njëjti mbetet në liri do përpiqet që të arratiset”, tha ajo.

Vetë i pandehuri, Rakip Abdyli i cili u arrestua sot në orët e mëngjesit, në deklarimin e tij në gjykatë tha se është penduar.

“Po jam penduar për veprimet e mia,” tha i dyshuari.

Kurse, Shaban Shala, avokat i angazhuar sipas detyrës zyrtare për ta mbrojtur të dyshuarin, tha se e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

“Duke u mbështetur në disa pjesë të deklaratës të mbrojturit tim në polici dhe atë nga shkaku se nuk është vërtetuar ende se i njëjtit ka lidhje me ndonjë grup radikal apo terrorist, ndërsa veprimet për të cilat i njëjti i ka kryer ka deklaruar se ka pasur për qëllim që të mundohet të një mënyrë ta shpëton një femër kosovare e cila gjendet me djalë në Siri dhe ta gjen mundësinë që të njëjtën ta tërheqë në Kosovë. Sipas kësaj, kjo ka qenë përpjekja e të njëjtit që i ka kryer këto veprime”, tha avokati Shala.

Ai propozoi që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë alternative e caktimit të sigurisë, duke propozuar arrestin shtëpiak.

14 Prill 2017 - 17:49

Shkodran Nikçi 14/04/2017 - 17:49
NDËRVEPRIMI0

Rakip Abdyli Pendohet në Gjykatë për Veprimet e Tij

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI