Prishtina - Foto: AP

Rahoveci Përuron Buste, Malisheva Këndon për Pavarësi

Zyrtarët komunalë të Rahovecit e Malishevës treguan për KALLXO.com aktivitetet që planifikojnë të zhvillohen në këto komuna në përvjetorin e pavarësisë.

Sipas Haziz Krasniqit, zyrtarit për informim në Komunën e Rahovecit, nesër komuna organizon përurimin e busteve të dëshmorëve Selajdin Mullaabazi-“Mici” dhe Bekim Sylka në shkollat që mbajnë emrat e tyre.

Po nesër do të bëhen homazhe në varrezat e të rënëve për liri, ndërsa do të organizohet edhe vrapim i nxënësve, derisa një turne futbolli për nder të shpalljes së pavarësisë tashmë ka filluar.

Për dallim nga Rahoveci, Komuna e Malishevës do të zhvillojë aktivitete vetëm më 17 shkurt.

Zyrtarë të kësaj komune treguan për KALLXO.com se në ditën kur festohet përvjetori i pavarësisë do të zhvillohet një seancë solemne e kuvendit komunal, ndërsa më pas gjatë ditës nderohen dëshmorët në Malishevë, Prekaz e Kleçkë.

Pasdite në Malishevë do të organizohet koncert në parkun e qytetit dhe do të zhvillohet finalja e turneut të futsallit.

Kosova më 17 shkurt mbush nëntë vjet shtet.

KALLXO.com shkroi më 8 shkurt se qeveria në mbledhjen e saj ndau 70 mijë euro për festimin e këtij përvjetori.

http://kallxo.com/70-mije-euro-per-shenimin-e-dites-se-pavaresise/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri