Ragip Begaj, kryetar i komunës së Malishevës

Ragip Begaj: Kujt Po i Teket Po Bën Kallëzime Penale

Pas aktakuzës për keqpërdorim detyre të ngritur ndaj Ragip Begajt, kryetari i Malishevës e komentoi atë për KALLXO.com.

“Mu nuk po më duket serioze, kujt po i teket po ban kallëzime penale dhe po ngrihen aktakuza. A është me vend kallëzimi a nuk është me vend nuk po e këqyr kurrkush”, tha Begaj.

Kryetari i Malishevës tregoi për KALLXO.com se për çfarë po akuzohet.

“Ka pasë humb një lëndë e prokurimit, unë i kam suspenduar 3 punëtorë që kanë qenë në atë zyrë aty dhe njëri punëtor ka bërë kallëzim penal ndaj meje që kinse i kam bërë padrejtësi ndaj tina, tash nuk po di”, tha Begaj.

Edhe në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij përshkruhet kjo që e tha Begaj për KALLXO.com.

“Ky i pandehur edhe pse e ka kuptuar se në zyrën e Haxhi Krasniqit (menaxherit të prokurimit) ka pasur keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik ‘SHPK ALBAKOS&NNSH KORBEN’ Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në OSHP, pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50% pagesë prej datës 20.08.2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në Zyrën e Menaxherit të Prokurimit edhe pasi që ky i pandehur kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur”, thuhet në aktakuzë.

Begaj akuzohet edhe se nënshkroi kontratë në vepër me Labinot Mazrekun në lidhje me pozitën e menaxherit të prokurimit, edhe pse në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate “kjo komunë kishte të punësuar menaxherin e prokurimit dhe zyrtarë të licencuar të cilët posedonin certifikata të prokurimit për kryerjen e këtyre shërbimeve”.

Begaj në fund paralajmëroi se do të dalë i pafajshëm.

“Kam pasur edhe më herët aktakuza të ngritura, po dal i pafajshëm, kush është fajtori tani që është ngritë ajo akuzë”, tha Begaj.