Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj- Foto: Atdhe Mulla

Ragip Begaj Anulon Konkursin pas Raportimit të Qytetarit në KALLXO.com

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se para dy javësh është hapur një konkurs për një vend të lirë pune për mjek në Komunën e Malishevës.

Raporti thotë se në këtë konkurs nuk i është dhënë mundësia e pranimit mjekut që kishte plotësuar të gjitha kushtet. Si rezultat, sipas raportimit anonim, vendin e punës e kishte fituar vëllai i drejtorit të kësja qendreje.

“Në mënyrë të padrejtë eliminohet  nga gara për të fituar vendin e punës kandidati i cili ishte në rend për t’u pranuar edhe më i miri në intervistën me gojë”, thuhet në raport.

Sipas raportit në këtë konkurs pritej të punësohej mjeku që kishte përfunduar më herët studimet për mjekësi.

Raportuesi tha se një orë para mbylljes, në këtë konkurs kishte konkurruar edhe edhe vëllai i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Malishevë të cilin “vetëm disa muaj e ndajnë nga marrja e licencës si Specialist i Pediatrisë”

Raportuesi dyshonte se ky rast përbënte konflikt interesi.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Malishevës. Kryetari i kësaj Komune Ragip Begaj pranoi se ky konkurs nuk ka qenë i rregullt dhe tha se do të ndërmarrë masa të menjëhershme për këtë rast.

Dhe pak momente më pas, ai mori vendim për anulimin e konkursit.

“Ju njoftoj se kryetari Begaj, ka urdhëruar drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Malishevës, dhe u.d. të drejtorit të QKMF “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë, që ta bëjë anulimin e atij konkursi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.

KALLXO.com dhe Jeta në Kosovë ka raportuar në vazhdimësi për ndërhyje në konkurse për mjekët.

Dyshimet për Ndërhyrje Politike Njollosin Punësimet në QKUK

Edhe në QKUK është raportuar se ka pasur ndërhyje politike në konkursin për mjekë alergolog.

Shtohen Kundërshtitë Ndaj Konkursit ‘Politik’ në QKUK