Radonçiq në gjykimin e Kelmendit | Foto: KALLXO.com

Radonçiq u Përgjigjet Pyetjeve të Prokurorit

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në gjykimin e Naser Kelmendit, politikani dhe pronari medial i Bosnjës Fahrudin Radonçiq u pyet nga prokurori Andreë Hughes rreth raporteve e takimeve me Sheila Turkoviqin.

Prokurori kërkoi të dijë nga Radonçiqi nëse ai e kishte njoftuar Naser Kelmendin me Sheila Turkoviqin.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë prezantuar para meje,” tha Radonçiq, kur prokurori ia kujtoi se Sheila Turkoviq kishte thënë se radonçiq e kishte njoftuar me Kelmendin.

Prokurori e pyeti Radonçiqin se a i lexonte shkrimet e Sheila Turkoviqit. Radonçiq e mohoi këtë duke treguar se në “perandorinë e tij mediale” ka shumë punonjës.

“300 gazetarë, 50 deri 70 redaktorë dhe me dhjetëra kryeredaktorë, është krejtësisht e pavërtetë se unë si një person do të mund të gjeja artikujt që janë shkruar nga Sheila Yugo,” tha Radonçiq.

Dje Radonçiq tregoi se Turkoviq ishte punësuar në sektorin e përkthimeve nga gjuhët e huaja në gjuhën boshnjake, por më pas kishte shprehur dëshirë të shkruante te “Magazina Expres” ku i ishte lënë hapësirë të merrej me kronikën e zezë.

Sot Radonçiq u pyet se kush ka vendosur që Sheila Turkoviq të punonte në Televizzionin “Alfa”.

“Unë si pronar i këtij grupi dhe kompanie kurrë s’kam qenë i përfshirë në menaxhimin operativ dhe politikat redaktuese. Televizioni ‘Alfa’ është televizion me nivel të ulët të shikueshmërisë në krahasim me ‘Avazin’,” tha Radonçiq.

Prokurori pastaj kërkoi të dijë nga Radonçiqi se pse edhe pse po thoshte që nuk ndërhynte në punën e gazetarëve, deklaronte që Sheila Turkoviq nuk mund të punonte në Gazetën “Avaz”.

“’Dnevni Avaz’ është lokomotiva e të ardhurave të kompanisë tonë dhe për më tepër vetëm gazetarët më të shquar mund të punojnë në të,” tha Radonçiq.

Politikani që është i përfshirë edhe në sektorin e ndërtimit u pyet nëse kishte blerë ndonjëherë ndonjë banesë për punonjësit e medieve të tij që ata ta paguajnë banesën pa interes.

“Kompania ka pasur të drejtë që t’u japë hua punonjësve të vet që ata të përdornin huan,  por secili punëtor që do të merrte huan duhej ta paguante secilën qindarkë të huas,” tha Radonçiq.

Ai u pyet nëse Sheila Turkoviq kishte marrë një hua të tillë.

“Ajo ka marrë një banesë shumë të vogël dhe ka qenë në rregull me pagesën e saj,” u përgjigj Turkoviq.

Radonçiq më pas mohoi se Sheila Turkoviq kishte përkthyer në takimet e tij me delegacione të larta politike, por pranoi se vetëm njëherë ajo ishte shfaqur në një konferencë si moderatore-konferenciere.

Politikani boshnjak tha se nuk kishte vendosur ai që Turkoviq të ishte në këtë konferencë.

“Korporatat e mëdha kanë tendenca që niveli i lartë i korporatës të vendosë se kush do të jetë i pranishëm në ngjarje të tilla dhe është menaxhmenti që vendos se kush do të merret me marrëdhënie me publikun dhe protokoll prandaj unë skam qenë ai që ka vendosur,” tha Radonçiq.

Radonçiq mohoi se është takuar “në mënyrë ekskluzive” me Sheila Turkoviqin, por tha se ka raporte të mira me të gjithë punonjësit e kompanive të tij.

Edhe Sheila Turkoviq dëshmoi disa ditë në procesin gjyqësor kundër Kelmendit.

10:14

Fahrudin Radonçiq, deputeti i Bosnjës e Hercegovinës dhe themeluesi e kryetari i partisë Unioni për një të Ardhme më të Mirë është ehe sot dëshmitar në gjykimin e Naser Kelmendit që mes tjerash akuzohet për vepra që lidhen me trafikim narkotikësh.

Radonçiq sot pritet të merret në pyetje nga prokurori Andrew Hughes.

Radonçiq që para se të bëhej politikan, ishte pronar mediesh në Bosnjë dëshmoi edhe dje në gjykimin e Kelmendit.

Tha se me të akuzuarin ishte takuar në vitin 2005 ose 2006, pasi tha se Kelmendi ishte njëri nga shumë partnerët e bizneseve të tij.

http://kallxo.com/radonciq-flet-per-njohjen-naser-kelmendin/

Radonçiq vetë është duke u gjykuar në Bosnjë për pengim të drejtësisë, pasi akuzohet se urdhëroi dy kolegë të tij të ndikojnë në një dëshmitare që do të dëshmonte në gjykimin e Kelmendit.

Radonçiq është deklaruar i pafajshëm në lidhje me këtë aktakuzë, ndërsa ka mohuar se urdhëroi ndikimin në dëshmitaren.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar të vitit të kaluar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.