Radonçiq në gjykimin e Naser Kelmendit | Foto: KALLXO.com

Radonçiq Tregon Kush e Vrau Delaliqin

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në gjykimin e Naser Kelmendit, politikani, ndërtuesi i shumëkatësheve dhe pronari i disa medieve në Bosnjë Fahrudin Radonçiq, tregoi se kush mendon se e vrau Ramiz Delaliqin.

Delaliq u vra me breshëri plumbash në Sarajevë në vitin 2007, ndërsa për vrasjen e tij mes akuzave tjera ngarkohet Naser Kelmendi.

Radonçiq akuzoi për vrasjen e Delaliqit Agjencinë për Hetime dhe Dokumentim (AID) që tha se ishte shërbimi sekret i myslimanëve të Bosnjës.

“Prej vitit 98 deri ne 99  ka qenë Agjencia për Hetime dhe Dokumentim dhe kjo është konsideruar si shërbimi sekret mysliman, sepse ne parim brenda kësaj organizate nuk ka pasur serbë, kroatë dhe kombësi të tjera,” tha Radonçiq.

Radonçiq vrasjen e Delaliqit e lidhi me një intervistë që tash i ndjeri e kishte dhënë në vitin 2007 dy ditë para se të vritej. Në të sipas Radonçiqit, Delaliq kishte thënë se ka vrarë për ish-kryetarin e Bosnjë e Hercegovinës Alija Izetbegoviq.

“Ai e ka dhënë intervistën që ishte shumë inkriminuese për policinë sekrete myslimane dhe ai ishte vrarë menjëherë pasi e dha këtë intervistë nga mafia shtetërore boshnjake për të mos zbuluar informacione për 10 vrasje politikisht te motivuara dhe në këtë intervistë ai e ka shpallur një gjë te tillë,” tha Radonçiq.

Radonçiq e konsideroi kontrovers Delaliqin.

“Ai ka qenë personalitet shumë kontrovers, ka punuar për shërbimin sekret mysliman. Ai ka qenë thellësisht i përfshirë se ka vrarë për Izetbegoviqin dhe dy ditë para vdekjes së tij ai ka dhënë intervistë ku ka shpjeguar të gjitha krimet e kryera nga shërbimi sekret mysliman,” tha Radonçiq.

Radonçiq rrëfeu më tutje se Delaliq u kishte treguar amerikanëve për një bazë të muxhahedinëve në Bosnjë, e cila më pas ishte sulmuar nga EUFORI, prania e NATO-s në Bosnjë.

Zbulimi dhe sulmi ndaj kësaj baze sipas Radonçiqit kishte ndikuar që të shpërbëhet Agjencia për Hetime dhe Dokumentim.

“Pasi që seksioni i EUFOR-it i Paktit NATO ka sulmuar bazën e muxhahedinëve në  Pogorelice, përfaqësuesit e lartë të komunitetit ndërkombëtar kanë vendosur që të ndërpresin AID-in si shërbim sekret dhe është marrë vendimin për themelimin e FOS-it, Shërbimit Informativ Federal dhe të gjithë ata që kishin ndonjë lidhje me muxhehedinët, vahabistët, Shërbimin e Inteligjencës Iraniane u shkarkuan,” tha Radonçiq.

Radonçiq ishte pjesë e luftës në Bosnjë, ndërsa Delaliq njëri nga komandantët e rezistencës kundër rrethimit të Sarajevës.

Politikani boshnjak tha se kishte marrëdhënie të mira me Delaliqin, ndërsa nuk i frikësohej aspak atij.

“Gjatë luftës të qenurit në të njëjtën anë nënkupton se kemi pasur marrëdhënie të mira,” tha Radonçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Andrew Hughes.

Ai e lidhi Delaliqin me një vrasje që tha se mendohej që nisi luftën në Bosnjë.

“Ai akuzohej si përgjegjës për vrasjen e disa mysafirëve në një dasmë serbe dhe kjo është konsideruar se ka nxitur luftën në Bosnjë dhe ky gjykim ka qenë i hapur dhe shumë transparent,” tha Radonçiq.

Radonçiq tha se me Delaliqin u takua së fundi në vitin 1993, ndërsa më pas për të mësoi vetëm nga shkrimet në medie.

Radonçiq më tutje tregoi për momentin e vrasjes së Delaliqit që deklaroi se i kujtohej që kishte ndodhur në vitin 2007 .

“Ka qenë natën vonë afërisht rreth orës 12 të natës dhe si person u kam dërguar SMS  të gjithë atyre që shkruanin artikuj  për kronikën e zezë që Ramiz Delaliq është vrarë, që ata të shkonin te vendi i ngjarjes për të nxjerrë raportimet e tyre,” tha Radonçiq.

Ai tha se nuk i kujtohej nëse kishte folur me dikë në telefon rreth kësaj vrasjeje, pasi ato ditë të gjithë flisnin për të.

“Ishte dramatike shokuese, për të gjithë dhe të gjithë po flisnin për këtë gjatë asaj nate dhe ditët në vijim,” tha Radonçiq.