Pamje nga një seancë gjyqësore në rastin e Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Radonçiq Flet për Njohjen me Naser Kelmendin

Fahrudin Radonçiq, politikani i njohur boshnjak, dha sot për herë të parë dëshminë e tij në gjykimin ku për krim të organizuar dhe vrasje akuzohet Naser Kelmendi.

Radonçiq tregoi se një pjesë të mirë të fëmijërisë së tij e kaloi në qytetin prej nga vjen Kelmendi, në Pejë, për shkak të punës së babait të tij.

Politikani boshnjak më pas në dëshminë e tij u fokusua në kohën e luftës në Bosnjë, ku tregoi se ishte pjesë e kabinetit të Sefer Haliloviqit dhe se kryente punë në sektorin informativ.

Radonçiq tregoi se kishte qenë korrespodent për Kosovë i gazetës “Danas”, ku kishte intervistuar edhe Adem Demaçin si dhe Azem Vllasin.

Fahrudin Radonçiq më pas tregoi se me personin për vrasjen e të cilit akuzohet Kelmendi, Ramiz Delaliqin, ishte takuar diku në vitin 1992, pasi që Delaliq ishte njëri nga komandantët e luftës në Sarajevë.

Kur u pyet nga prokurori Andrew Hughes për Fikret Muslimoviqin, dëshmitari nuk pati fjalë të mira për të.

“Muslimoviq ka qenë një zyrtar i KOS, që ishte polici sekrete e Jugosllavisë, kundër Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë, ka qenë shërbim sekret i Millosheviqit”, tha  Radonçiq.

Prokurori më pas pati pyetje për një person tjetër të quajtur Mustafa Kandiq, person për të cilin Radonçiq tha se nuk e njeh.

Kur prokurori, Hughesi tha se ky person kishte deklaruar nën betim se ju keni qenë bashkëpunues i KOGRV, Radonçiq tha se është vërtetuar nga Gjykata në Sarajevë me aktgjykim se kjo ka qenë shpifje.

Dëshmitari gjithashtu për periudhën e luftës tregoi se ishte arrestuar dy herë për shkak të një artikulli të botuar, i cili bënte fjalë për spiunët jugosllavë të infiltruar në Armatën boshnjake.

Prokurori Hughes më pas pati pyetje për disa objektet të ndërtuara nga Radonçiq dhe veçanërisht për prejardhjen e pasurisë.

Hughes veçanërisht u interesua se si arriti Radonçiq të financonte disa projekte sikur projekti i “Hypo Adria Bank”, Radon Plaza dhe “Avaz Twist Tower”.

Dëshmitari u përgjigj se këto objekte i ka ndërtuar nga përfitimet që i ka sjelluë gazeta “Avaz” si dhe nga disa kredi të marra nga bankat e certifikatat e të cilave dëshmitari i prezantoi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Me veti kam certifikata nga bankat që dëshmojnë për kreditë bankare prej 50-60 milionë të marra për një periudhë 15 vjeçare maturimi”, tha Radonçiq.

Dëshmitari më pas elaboroi edhe koston e objekteve.

“Në bazë të kujtesës time për të hapur Radon Plaza ka kushtuar 16 milionë ndërsa investimet e tjera në atë objekt e kanë kaluar shifrën prej 16 milionë, ndërsa për “Twist Tower” shuma ka arritur 56 milionë”, tha Radonçiq.

Pas dhënies së sqarimeve lidhur me patundshmëritë e tij, prokurori e pyeti dëshmitarin për njohjen e tij me të akuzuarin Naser Kelmendi, por dëshmitarit nuk i kujtohej koha e saktë.

“Duhet të ketë qenë diku viti 2005 ose 2006”, tha ai.

Dëshmitarit nuk i është kujtuar as vendi se ku ishte takuar me të akuzuarin por tha se Kelmendi është njëri nga rreth 200 mijë partnerët e kompanisë së tij.

Sipas tij, Kelmendi mbante numrin rendor 2,900 në listën me 212,000 kontakte të partnerëve të biznesit.

Më pas dëshmitari përjashtoi çdo mundësi të ishte takuar diku në Kosovë me Kelmendin para asaj date apo gjatë kohës sa ai kishte qenë në Kosovë.

I pyetur se a ka pasur ndonjë lidhje tjetër me Kelmendin, Radonçiq tha se kompania e tij ”Avaz” kishte blerë vetura të blinduara nga Naser Kelmendi.

“Nuk më kujtohet saktë por mund të ju prezantoj shënimet, ishte një audi 8 në vlerë prej 110 mijë marka dhe është paguar me kohë dhe janë paguar tatimet për të tha Radonçiq.

Radonçiq tha se kompania e tij ka blerë edhe makina tjera nga Kelmendi dhe për këtë dha edhe një arsye se pse pikërisht nga Kelmendi.

“Naser Kelmendin e ka përcaktuar situata në treg sepse ai ishte i vetmi që i shiste këto vetura”, tha Radonçiq.

Dëshmitari tha se nuk ka negociuar as për çmimin e veturave e as për asgjë tjetër me Naser Kelmendin porse atë punë e kanë bërë drejtorët e “Avazit”.

Megjithatë, dëshmitari tha se këto vetura ishin përdorur për sigurinë e personaliteteve të njohura duke filluar nga Joe Biden, zëvendëspresidenti i ShBA-së, drejtorin e CIA-s, magjistari David Copperfield, e shumë personalitete të njohura.

Radonçiq madje tha se edhe Qeveria e Bosnjës disa herë ia kishte huazuar veturat për mysafirët e tyre.

I pyetur nga prokurori Hughes se a ishte takuar më parë me Kelmendin, Radonçiq tha se ishte takuar në hotelin “Casa Grande”.

“Ky hotel gjendet në një vend shumë atraktiv në Sarajevë dhe aty e kam pasur edhe rezidencën që më pas e kam shitur dhe unë kam shkuar aty për kafe si një turist”, tha Radonçiq.

Dëshmitari më pas tregoi edhe për disa takime të tjera me Kelmendin, për të cilin tha se ka pasur raporte korrekte me të, ndërsa për takimet tha se kishin qenë krejt spontane.

“Njëherë u takuam në lobin e Radon Plaza me Kelmendin dhe ia zgjatëm dorën njëri-tjetrit dhe pastaj një person Supiq nga Beogradi tha se ne kishim planifikuar të vrisnim gazetarin më të njohur në Bosnjë, Baki Haxhimeroviq, dhe ai qëndroi i mbrojtur nga policia për 5 vite deri sa doli se kjo nuk ishte e vërtetë”, tha dëshmitari.

Fahrudin Radonçiq tha se edhe po të donte nuk do të mund të socializohej me Kelmendin për shkak se ky raport mitizohej nga disa qarqe.

Përveç për Kelmendin, dëshmitari u pyet edhe për njohjen e tij me Sheila Turkoviqin.

“Jam njohur me të diku në vitin 2001, para se të fillonte punën në Avaz”, tha Radonçiq.

Ai tregoi se më të ishte takuar në një kafene ku ishte prezantuar nga Shanko Mesihoviç, një profesor i shkencave mjekësore në Bosnjë.

Ai tha se pasi ishte njohur me Sheilan ia kishte dhënë kontaktin dhe pastaj ajo ishte punësuar në sektorin e përkthimeve, në sektorin ku duhej të përkthente lajme nga gjuhët e huaja në gjuhën boshnjake e që ky sektor nuk kërkonte njohje të ekspertit të gjuhës angleze.

Dëshmitari më pas tregoi se Sheila kishte shprehur interesim tek redaktorët që të shkruante dhe asaj i ishte lënë një hapësirë tek “Magazina Expres”, por që nganjëherë shkruante edhe për kronikën e zezë.

Dëshmia e Radonçiq do të vazhdojë edhe ditën e nesërme dhe përsëri do të merret në pyetje nga prokurori Hughes, i cili tha se është afër të arrijë te gjysma e pyetjeve të tij.

Radonçiq është paraparë të dëshmojë për 3 ditë në rastin Kelmendi.

http://kallxo.com/fahrudin-radonciq-ne-gjykimin-e-naser-kelmendit/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për gjykimin e Naser Kelmendit. Raportet nga ky rast mund t’i gjeni duke klikuar këtu.