Qyteti Rumun Promovohet Falë Lidhjes me Tarzanin

Tarzani, njeriu i famshëm majmun, njihej për shumë aftësi, përfshirë fuqinë e madhe, shpejtësinë, rezistencën dhe notin.

Disa nga këto aftësi do të shfaqen së shpejti në një seri eventesh teatrale dhe sportive planifikuar në qytetin Timisoara të Rumanisë perëndimore, për të festuar jetën e ish-notarit olimpik dhe aktorit Johnny Weissmuller, që luajti rolin e Tarzanit në filmat e viteve 1930 dhe lindi në qytet.

Weissmuller, një etnik gjerman-romun, lindi në vitin 1904 në Freidorf, një distrikt në Timisoara, ku qyteti dhe vendi që e rrethonte ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Familja e tij emigroi në SHBA vitin kur ai lindi.

“Ne duam të festojmë shpirtin e lirë të Tarzanit duke organizuar një seri eventesh të quajtur Tarzaniada. Ne planifikojmë performanca teatrale, por gjithashtu edhe një garë në shigjetari, kërcime mbi një pishinë duke përdorur një degë peme dhe një garë ulërimash si të Tarzanit,” tha Vlad Garboni nga organizata e Shtëpisë Kulturore të Studentëve, për gazetën Banatul Azi.

Një konkurs që përfshin vrapin dhe notin do të organizohet gjithashtu në Timisoara.

“Ne kemi të drejtën të përdorim emrin e Johnny Weissmuller vetëm për konkursin e mësipërm, por shpresojmë të marrim të drejtën ta përdorim emrin e tij edhe për disa evente të tjera,” tha Constantin Dumitra, që po organizon këtë garë.

Ndërsa organizata të tjera vendase duan ta përdorin emrin e Tarzanit për oferta turistike, që do të përfshijnë një tur për Timisoara që do të mbahet në vendin ku lindi Wiessmuller.

Ai ishte një kampion noti në fillim të viteve 1930, fitoi pesë medalje të arta për SHBA-në në Lojërat Olimpike si dhe 67 tituj kampionë. Ai nuk humbi kurrë asnjë garë në jetën e tij.

Pas daljes në pension nga noti, ai filloi karrierën si aktor dhe mori rolin e Tarzanit, një karakteri thriller shpikur nga shkrimtari Edgar Rice Burroughs. Ulërima e tij u bë një hit.

Pasi u bë një yll në filmin “Tarzani njeriu majmun” të vitit 1932, Weissmuller u bë yll në disa filma të tjerë me Tarzanin gjatë dekadës së mëvonshme. Ai vdiq në Meksikë në vitin 1984.