Qytetaria Aktive që Përmirëson Projektet

Në Pejë në një takim të organizuar nga Instituti GAP dhe organizata “Syri i Vizionit” me përfaqësues të këshillave lokale dhe bashkësive territoriale të rajonit të Dukagjinit u vlerësua lart angazhimi i banorëve të disa fshatrave në projektet për përmirësim të jetës.

Sipas raportit të prezantuar nga Agron Demi prej Institutit GAP, janë gjashtë fshatra në pjesë të ndryshme të Kosovës që zhvillojnë organizime dhe iniciativa vullnetare për të mirën e përgjithshme.

Demi tha se interesimi në terren për projektet ndikon që ato të realizohen siç janë paraparë.

“Ne kemi mbërri me pa që një rrugë që është shtruar në vitin 2005 me mbikëqyrje të fshatit është shumë më e fortë, sesa një rrugë që është shtruar 2011 pa mbikëqyrjen e banorëve të fshatit. Për shkak së këta janë përkujdesur me marrë ofertën me të mirë edhe janë kujdesur që ato punë që shkruhen në kontratë kanë mu kry përnjëmend”, tha Demi.

Fekë Atashi, kryetar i Bashkësisë Territoriale të Fshatrave të Leshanit, tregoi se si angazhimi i banorëve shpëtoi digën e Leshanit.

“Se u rritën shumë ujërat se u kanë rrezik krejt ai projekt, se na e kemi fituar atë përmes shoqatës tonë, po na jena konë në mbikëqyrje, na e kemi dhanë tenderin, na i kemi mbikëqyre mjetet e krejt. Natën jena shku, e kemi alarmuar punën edhe është ardhë ai (kompania) natën ka punuar për me shpetu digën,” tha Atashi.

Ndërsa Nexhat Miroci, kryetar i Bashkësisë Territoriale “Xhemajl Kada” në Pejë tha se presioni qytetar ndikoi që disa ura të rregullohen ashtu si duhet.

“E ka ngrit urën ma shumë se duhet edhe i kemi thanë mos e bo, urën e parë. Ai hajt se në të tjerat anej knej ka vazhdu. E kemi lajmëruar komunën atë inxhinierin, ka ardhë ka thonë mi prish urat edhe i ka prish i ka bo pak ma ulët,” tha Miroci.

Por kryetari i Bashkësisë Territoriale të Fshatrave në Rajonin e Gllogjanit të Pejës, Anton Antoni tha se për projekte nuk vendosin banorët.

“Vendos Kryetari, vendosin drejtorët edhe mjerisht vendosin në aspekte politike”, tha Antoni.

Pikërisht kryetarët e komunave të rajonit të Dukagjinit ishin të ftuar në diskutim, por asnjëri prej tyre nuk erdhën.