Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Qytetari Akuzon Policinë për Dhunë Fizike

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, si dhe ndaj djalit dhe vëllait të tij.

Për shkak të pozitës në punë, qytetari ka kërkuar të mos i bëhet publik emri.

Ai tregoi hollësi për ngjarjen.

Për shkak se është i sëmurë, thotë se ka qenë i shtrirë në shtrat kur ka dëgjuar zhurmë që vinte nga oborri.

“Kam qenë i shtrirë këtu dhe për një moment e kam ni një zhurmë në oborr tu bërtitë, shumë zëra dhe kur kam dal ashtu siç kam qenë, me ndërresa të natës, tu pyet çka ka ndodh veç kur ia kanë nisë me bërtitë. Ka pasë shumë drita, bateri, të drejtuara nga ne. Edhe revole u ndëgjojshin tu u reportit. Do thoshin: Gjuni! Do: Vraje! Edhe kam thanë: çka u ba? Veç për një moment m’ kanë kapë. m’ kanë shtri përtokë”, rrëfen qytetari.

Më tej, ai tregon se policët e kanë ofenduar me fjalë të ndryshme, para se ta sulmonin fizikisht atë, djalin e tij dhe vëllanë.

“Kur kanë ardhë, ma kanë përplasë për toke balldëzkën, gruan ma kërcënuan, dy vajzat m’i kanë shty e m’i kanë përplasë e i kanë ofendu me gjuhë të ndryshme, djalin e vogël qashtu”, rrëfen tutje.

E gjithë kjo sipas qytetarit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, më saktësisht rreth orës 02:00-02:30 të mëngjesit.

Ai tregon se pas gjithë ofendimeve dhe sulmeve, Policia ka shoqëruar atë, djalin dhe vëllain në stacion policor.

“Rrugës kam ndëgju nga radioja sepse asnjë llaf nuk kanë bo, edhe aty e kemi kuptu që nuk është diçka në rregull. Në momentin që na kanë futë në makina, edhe deri sa na kanë fut në makina na kanë mshu me shkelma, boksa e shuplaka”, tha ai.

Më tej, qytetari tregon se rrugës për në stacion, Policia është njoftuar se kanë gabuar dhe kanë arrestuar persona të tjerë.

“Në moment rrugës ka qenë një qetësi absolute se as ata nuk e dijshin as rrugën. E kam dëgju tu thanë: Keni gabu se “Audi 3” është numër kaq-kaq, i një tjetër personi. Atëherë ata kanë fillu me pëshpëritë me njëri-tjetrin dhe deri në stacion policor… Kur kemi shku atje ka ndërru krejt situata”, tha ai.

Qytetari thotë se ka marrë informacion se djalin ia kanë rrahur prapë në stacion policor, por shtoi se nuk e di se për çfarë arsye.

Ai tregoi se ende është i traumatizuar nga rasti dhe ka bërë ankesë sot në mëngjes në lidhje me gabimin që është bërë nga Policia.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësen e Policisë, Florie Ahmeti- Haziraj, e cila ka konfirmuar rastin, duke thënë se të njëjtit kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës.

“Rreth orës 02:00 të mëngjesit, policia ka ndaluar tre persona ndaj të cilëve janë iniciuar dy raste: Pengimi i personit zyrtar në kryerje të detyrës dhe mospërfillje e urdhrit të policisë”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi se personat e dyshuar janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.