Qytetarët-Kontribut Dytësor për Arrestimet

Policia pati premtuar se do të japë 10 mijë euro për informata në lidhje me sulmin në Kuvend, por arrestimet e djeshme i konsideron fryt të punës së saj.

Në një konferencë për gazetarë të zhvilluar sot, zyrtarë policorë u pyetën nga KALLXO.com nëse ia kishin dhënë shpërblimin e premtuar prej 10 mijë eurove ndonjë qytetari për informata të mundshme.

Drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit Fatos Makolli, duke mos iu përgjigjur direkt kësaj pyetje, kontributin e qytetarëve në lidhje me arrestimet e djeshme e vlerësoi  të rëndësishëm, por jo kryesor.

Drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit Fatos Makolli, Time Code  16:03-16:13

Qytetarët kanë dhënë kontribut dytësor që ka qenë jo pak i vlefshëm dhe procedurat tjera do të jenë varësisht prej rrjedhës së hetimeve,” tha Makolli.

Makolli bëri të ditur se të dyshuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës janë kapur më shumë në saje të punës policore.

10 mijë euro ka qenë shpërblimi për qytetarët të cilët japin informacione, informacione këto që të orientojnë tek kryerësit e veprës penale, por në këtë rast e gjithë puna është kryer bazuar në grumbullimin dhe mbledhjen e fakteve nga dëshmitë fizike në bazë të punës policore dhe në bazë të aktiviteteve që janë të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale përmes masave të fshehta”, tha Makolli.

Gjashtë persona u arrestuan dje, nën dyshimin për sulmin në Kuvendin e Kosovës më 4 gusht.