Qytetarët Kërkojnë Përgjegjësi për Ndërtimet në Prishtinë

Ilir Preniqi, banor i lagjes ‘Ulpiana’, në Prishtinë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, thotë se ndihet i pasigurt në ndërtesën ku jeton sepse stabiliteti i saj është rrezikuar pas dëmtimeve që i janë bërë në procesin e shndërrimit të një lokali banesor në atë afarist.

Inspektorati i Komunës së Prishtinës gjithashtu kishte konstatuar se në këtë ndërtesë është bërë dëmtimi i mespllakës mirëpo sipas Preniqit askush nga komuna më nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për të siguruar këta banorë.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’  që sonte i dedikohet problemeve urbanistike në Prishtinë, i ftuar ishte edhe Liburn Aliu, Drejtor i Urbanizmit.

Aliu është përballur me qytetarët që kanë ankesa për leje ndërtimore të lëshuara nga kjo drejtori që sipas tyre po i dëmton kualitetin e jetesës.

Përfaqësuesi i banorëve të Rrugës B, Valdet Osmani në debat ka shtruar problemin me ndërrimin e planit rregullues që sipas tij është shndërruar ilegalisht nga hapësirë gjelbëruese në hapësirë ndërtuese përballë banesave të tyre.

Problem të ngjashëm kanë edhe banorët e kompleksit privat banesor të mbyllur ‘Prishtina Stars’ në lagjen Kalabria që konsiderojnë se janë mashtruar nga investitori  ‘Konak Construction’, sepse me fillimin e ndërtimit të një objekti të ri afër kësaj lagjeje me leje nga Komuna e Prishtinës, kompleksi do të shndërrohet në të hapur.

Banorët tregojnë se janë ankuar në Ministrinë e Mjedisit që më pas ka nxjerrë një vendim që e urdhëron Komunën e Prishtinës të pezullojë lejen ndërtimore që e ka dhënë për ndërtimin e ri.

‘Jeta në Kosovë’, ka kontaktuar edhe investitorin ‘Konak Construction’ që ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë dhe ankesës së këtyre banorëve.

http://kallxo.com/kompania-ndertimore-e-quan-te-paligjshem-vendimin-per-pezullim-te-lejes/

Për të gjitha këto dhe më shumë përgjigjen Liburn Aliu, Drejtor i Urbanizmit dhe Arben Çitaku, Sekretar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: