Qytetarët Kërkojnë ‘Drejtësi për Astritin’ me Marsh në Prishtinë

Një grup i qytetarëve i janë përgjigjur thirrjes së organizatave dhe personaliteteve të shoqërisë kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ai “Skënderbeu” në Prishtinë për të kërkuar ndriçim të pavarur të rastit të vdekjes së Astrit Deharit.

Aktivisti i Vetëvendosjes vdiq të shtunën e kaluar në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren pas më shumë se dy muaj qëndrimi në paraburgim, në rrethana ende të pasqaruara.

Nën thirrjet “Pa drejtësi nuk ka qetësi” dhe “Liri për aktivistët”, protestuesit bënë mbajtën një minut heshtje në nderim të 26 vjeçarit të vdekur.

Aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha, tha para qytetarëve të mbledhur se e vërteta duhet të kërkohet nga një trup i pavarur ndërkombëtar hetuesish.

“Kërkojmë urgjentisht të sigurohet një hetim i pavarur në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë të vërtetën dhe të vihet drejtësia në vend”, tha Luzha.

“Drejtësia nuk mund të bëhet me njerëzit që aktualisht po i bëjnë hetimet sepse veprimet e tyre deri tani kanë shkaktuar konfuzion”, tha ajo duke iu referuar deklaratave dhe veprimeve të institucioneve që nga dita e vdekjes së Deharit, i dyshuar për sulm me mortajë ndaj ndërtesës së Kuvendit në gusht të këtij viti.

Aktivistja e shoqërisë civile, Jeta Berisha, nga ana e saj, tha se vdekja e Astrit Deharit ndodhi “në rrethana misterioze dhe të dyshimta”.

“Tash e nëntë ditë askush nuk dha përgjegjësi. Neglizhenca ndaj Astritit i bie të jetë neglizhencë ndaj qytetarit. Neglizhenca ndaj qytetarit ngrit nevojën për drejtësi”, tha Jeta Berisha.

Ndërsa avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, foli për pamjet e publikuara javën e kaluar në media të cilat tregojnë momentet në korridorin e qendrës së paraburgimit në Prizren në kohën e vdekjes së Astrit Deharit.

“E keni parë se trupin e pajetë të Astritit e bartin të burgosurit e jo gardianët apo mjekët”, tha avokati Gashi.

drejtesi-per-astritin1 drejtesi-per-astritin2 drejtesi-per-astritin3 drejtesi-per-astritin4 drejtesi-per-astritin5 drejtesi-per-astritin6 drejtesi-per-astritin7