Qytetarët Hezitojnë të Bashkëpunojnë me Policinë

Sipas hulumtimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë del se qytetarët hezitojnë t’i besojnë Policisë së Kosovës. Ky mosbesim, sipas hulumtimit, është rezultat i frikës së zbulimit të identitetit, paaftësisë së Policisë për të vepruar si dhe frikës nga etiketimi si bashkëpunëtor.

Po ashtu, hulumtimi tregon se aksidentet në trafik, plaçkitjet dhe kafshët endacake perceptohen si tri sfidat kryesore të sigurisë.

Hulumtuesja e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë Sofije Kryeziu tha se kriza politike dhe zhvillimet e viteve të fundit kanë ndikuar që të stagnojë rritja e sigurisë te qytetarët të cilët hezitojnë t’i besojnë policisë.

“Qytetarët hezitojnë të bashkëpunojnë me policinë për shkak të frikës së zbulimit të identitetit, paaftësia e policisë për të vepruar, dhe frika nga etiketimi si bashkëpunëtorë”, u shpreh Kryeziu.

Ndërkaq, koloneli Shefqet Beqaj tha se Policia e Kosovës nuk ka shumë përvojë në çështjen e sigurisë.

“Njerëzit të cilët punojnë në sektorin e sigurisë nuk kanë ndonjë përvojë shumë të gjatë në siguri, mirëpo duke ju referuar përvojave të tjerëve ne po përpiqemi të bëjmë një punë më të mirë”, tha ai.

Ai tha që po implementohen një numër i madh i strategjive që të rritet siguria dhe besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës.

“Jemi në themelimin e një numri të forumeve të sigurisë të cilat po funksionalizohen dhe po japin rezultatet e veta, ku si qëllim kryesor e kanë ofrimin e sigurisë dhe gjetjen e shkaqeve të cilat po ndikojnë në pasiguri”, tha ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se shifrat të cilat tregohen në hulumtim tregojnë një ngritje të madhe të besimit nga qytetarët.

“Policia e Kosovës është e gatshme të japë ndihmën e saj për të gjitha shqetësimet e qytetarëve sepse objektiv kyç i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për qytetarët dhe bashkëpunimi me ta”, tha Kelani.

Sipas këtij hulumtimi rezultatet e tri viteve të fundit tregojnë se ekziston një trend pozitiv sa i përket perceptimeve mbi sigurinë publike në radhët e respondentëve në nivel ndërkombëtar. Mirëpo, nga ana tjetër, mes viteve 2014 dhe 2015 u vërejt ndryshim i konsiderueshëm më i vogël, ku ky ndryshim ka rënë në vetëm një çerek, nga 12 në 3 për qind, të vlerës së trendit pararendës. Kjo tkurrje e trendit pozitiv është ndikuar negativisht nga jostabiliteti politik i pranishëm gjatë viteve 2014 dhe 2015.