Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Qymyri Potencial për Vota

Gjatë fushatës zgjedhore partitë politike japin premtime të ndryshme duke u bazuar në potenciale që i ka vetë vendi, por edhe ato që s’i ka. Në mesin e premtimeve që po shpërndahen nëpër Kosovë është premtimi që Kosova do të përdorë strategji për zhvillim ekonomik bazuar në pasuritë nëntokësore të saj, si qymyri. Ky premtim vjen edhe si rezultat i pasurive të mëdha të qymyrit, që llogaritet të jenë rreth 12 miliardë tonë. Parti të tjera kanë premtuar edhe program reduktimi edhe të taksës minerare për qymyr me qëllim të rritjes së prodhimit. Për shkak të kohës së shkurtër të fushatës, subjektet politike nuk kanë publikuar programe politike në të cilat shpjegohet se si do të arrihet të përmbushin një premtim.

Energjia elektrike në Republikën e Kosovës prodhohet përmes termocentraleve të  bazuar në qymyr. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të varfër sa i përket edhe furnizimit me energji elektrike, përkundër se jetojnë në vendin ndër më të pasurit që ka “fuqinë” për prodhim të rrymës.

Banka Botërore në raportet e saj thotë se mungesa e energjisë elektrike si dhe shpërthimi në KEK për më shumë se një vit, ka ndikuar në rënien e rritjes ekonomike në vitin 2015. Edhe kryeministri në detyrë Isa Mustafa i është ankuar Bankës Botërore për pengesat që energjia elektrike po i bën zhvillimi ekonomik të vendit.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të aplikojë  tantiemë çmimin prej 3 eurove për ton të qymyrit. Rritja e tantiemës në qymyr pati ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vitin 2014. Çdo ndryshim i tantiemës reflekton direkt në tarifat e energjisë elektrike. Në përllogaritje prej 3 eurove të tantiemës në totalin e përgjithshëm të pasurisë nëntokësore të Kosovës me qymyr, rezulton të ketë rreth 37.3 miliardë euro tantiemë. Por, duhet pasur parasysh se të gjitha rezervat e qymyrit nuk janë të shfrytëzueshme.

Në anën tjetër ish- zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi si përfaqësues i LDK-së në “Debatin Përnime” premton se  tantiema në qymyr do të reduktohet me qëllim të rritjes së prodhimit.

“Kemi me reduktu për arsye që nuk mund të ulet plotësisht, por duhet të ketë një program e cili është në reduktim, që është në qëllim të rritjes së prodhimit”, ka thënë Krasniqi.

Megjithatë, LDK-ja nuk ka dhënë ndonjë shpjegim nëse tantiema do të rishikohet vetëm për prodhimin e energjisë që shpenzohet brenda territorit apo edhe asaj që në të ardhmen synon të eksportohet.

Për qymyrin e Kosovës është interesuar edhe kompania “Envidity” e cila udhëhiqet nga ish gjenerali i NATOS-së Wesley Clark. Kjo kompani kishte kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Minierave tri licenca për hulumtim të qymyrit dhe bitumit në 1/3 e territorit të Kosovës apo 3 mijë e 483 kilometra katrorë.

Kërkesa e kompanisë së Clark-ut ishte  shqyrtuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri e më pas i është drejtuar Kuvendit të Kosovës pas përplasjesh të shumta e debatesh në këtë komision.

Ministri në detyrë i financave Avdullah Hoti para Komisionit për Zhvillim Ekonomik kishte thënë se cilat janë përfitimet me investimet e kompanisë “Envidity”  dhe “Sharrcem” në mes tjerash duke përmendur edhe 70 milionë euro të cilat mund të përfitojë vendi nga taksa minerare.

Projekti i propozuar nga kompania e Gjeneralit Clark më nuk është diskutuar në Kuvend.

Sipas një dokumenti të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik tarifat e energjisë elektrike prej vitit 2022 do të shënojnë rritje duke “shqyer” edhe më shumë xhepat e konsumatorëve me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ndërtimi i termocentralit të ri do të shtrenjtojë rrymën | Grafika: Ministria e Zhvillimit Ekonomik