Quinti Pret që Liderët ta Mbajnë Fjalën për Mosshfuqizim të Speciales

Në një deklaratë të shteteve të Quintit mirëpriten deklaratat e liderëve kosovarë për braktisjen e përpjekjeve për shfuqizimtë Gjykatës Speciale.

“Mirëpresim deklaratat e fundit të liderëve politikë të Kosovës që zotohen t’i braktisin përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, thuhet në deklaratën e shteteve të Quintit.

Këto shtete presin që liderët ta mbajnë fjalën për mosshfuqizim të Speciales.

“Ne presim që liderët e Kosovës ta mbajnë fjalën dhe që të gjitha institucionet e Kosovës ta respektojnë këtë zotim”, thuhet më tutje në deklaratë.

Në deklaratë konstatohet se Kosova mund ta tregojë maturinë si shtet, vetëm duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat.

“Vetëm duke mbajtur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta dëshmojë maturinë e vet si shtet dhe gatishmërinë e saj për t’u integruar tërësisht në Europë dhe komunitetin ndërkombëtar”, vijon deklarata.

Shtetet e QUINT-it thonë se Kosova do ta ketë mbështetjen e tyre, nëse përkrah Gjykatën Speciale.

“Mbështetja ndaj Gjykatës Speciale i mundëson Kosovës mbështetjen e vazhdueshme nga miqtë më të ngushtë dhe aleatët, përderisa shumë të arritura janë bërë për një dekadë që nga shpallja e pavarësisë”, përfundon deklarata.